Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike
E Mërkure, 02.05.2018
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua Raporti i auditimit për efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore. Lidhur me këtë, të arriturat dhe të gjeturat u arsyetuan nga Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor. Ai, mes tjerash ka folur për pengesat që KGJK-ja po hasë në realizimin e numrit të madh të lëndëve në Gjykatat Themelore.
Gjatë diskutimit pati shumë pyetje nga anëtarët e Komisionit, ndërkaq përgjegjje dhe sqarime dhanë përveç përfaqësuesve të KGJK-së, edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë.
Pas shterimit të diskutimit lidhur me këtë raport, kryetari i Komisionit z. Selmanaj propozoi që raporti së bashku me rekomandimet e Komisionit të adresohet për në seancë plenare. Mirëpo, për këtë nuk u dakorduan anëtarë tjerë të Komisionit. Vendimi lidhur me këtë çështje mbeti për mbledhjen e radhës, nëse rekomandimet e Komisionit do të proecedohen për seancë plenare apo vetëm për Gjykatat Themelore.
Në vijim, Komisioni shqyrtoi planin e veprimit të Qeverisë për adresimin e rekomandimeve nga Raporti i Auditimit për vitin 2016. Me këtë rast, zv/ministri i Financave, Fatmir Gashi, sqaroi se ky plan veprimi nuk ka të bëjë me punën e Ministrisë së Financave, por për të gjitha institucionet e vendit. Dhe, sipas tyre, barra për këtë bie mbi kryeministrinë.
Pas këtij diskutimi, Komisioni vendosi që ministri i Financave Bedri Hamza në mbledhjen tjetër të radhës të jap një mendim se kush duhet ta prezantojë para Komisionit këtë plan veprimi të Qeverisë për implementim të rekomandimeve, të dala nga raporti i Auditimit të vitit 2016.
Tutje, Komisioni shqyrtoi edhe raportin e auditimit Efektiviteti i Sistemit Informativ të Tatimit në Pronë.
Përkitazi me këtë, të gjeturat u arsyetuan nga zv.ministri i Financave, Fatmir Gashi. Edhe për këtë çështje, lidhur me rekomandimet dhe proecedimin në seancë plenare Komisioni do të vendosë në mbledhjen e radhës.