Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Premte, 27.04.2018
Me iniciativë të deputetëve: Andin Hoti (PDK) dhe deputetes Saranda Bogujevci, (VV), mbështetur edhe nga 70 deputetë të tjerë, Kuvendi i Kosovës, i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, ka zhvilluar sot debat parlamentar për personat e pagjetur.
Seanca ka nisur punimet nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, (një pjesë është kryesuar nga nënkryetari, Kujtim Shala) i cili, në hapje të debatit, ndër të tjera nënvizoi:" Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet çdo herë, çdo vit, derisa të përfundojë kjo dramë e fatkeqësisë tonë kombëtare".
Duke iu referuar sjelljes së papërgjegjshme të shtetit serb kundruall kësaj dhembjeje të shoqërisë sonë, kreu i Kuvendit Veseli, në vijim të fjalës së tij tha: "Serbia po tenton të nxisë harrimin tonë, por, ne nuk do të harrojmë, as nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për qytetarët tanë. Serbia duhet ta ketë të qartë se fshehja e krimeve dhe aspirata për integrim evropian nuk shkojnë bashkë", dhe shtoi më pas se, vetëm drejtësia i shëron plagët e të kaluarës e jo harrimi i tyre. Ne do të bëjmë çdo gjë që është në mundësitë tona që të ndriçohet fati i njerëzve tanë që aktualisht janë të pagjetur. Ky është obligimi ynë kushtetues dhe nacional. Në fund të fjalës së tij, kreu i Kuvendit bëri thirrje që tu qëndrojmë afër atyre që janë në pritje të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Pas kësaj fjalën e mori deputetja Saranda Bogujevci, (familja e së cilës dhe ajo vetë kanë qenë pre e masakrës serbe), në fillim të fjalës së saj vuri në dukje se shqetësimi i familjarëve të të zhdukurve dhe pritja e tyre zgjatë tashmë 19 vite. Me këtë rast ajo adresoi kritika ndaj Qeverisë, e cila sipas saj, këtë çështje nuk e ngritur në mënyrë adekuate në dialogun me Serbinë. Deputetja Bogujevci, kërkoi që faktori ndërkombëtar të ushtroj presion edhe më të madh ndaj Serbisë, në mënyrë që fati i personave të pagjetur, (numri i të cilëve është1652 persona), të bëhet i ditur për familjarët e tyre. Ajo vlerësoi se Serbia asnjëherë nuk do të pranojë krimet e kryera në Kosovë, andaj, sipas saj, vetëm një presion konkret nga faktori ndërkombëtar si dhe institucionet e vendit, ndaj Serbisë, do të bënte që Serbia të ofrojë të dhëna lidhur me personat e pagjetur.
Në vijim fjalën e mori deputeti Andin Hoti (djali i veprimtarit të shquar, Ukshin Hoti, i zhdukur nga Burgun e Dubravës, më, 16 maj 1999).
Me këtë rast, ai tha:" Sot dua të mposhtë emocionet dhe të jem zëri i të gjithë atyre që presin dhe kërkojnë të dinë për fatin e 1652 personave të zhdukur". Për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, Hoti vlerësoi se duhet një këmbëngulje dhe një angazhim më i madh i faktorit ndërkombëtar. Ai po ashtu vlerësoi se kur bëhet fjalë për pajtimin me Serbinë, kjo gjë nuk është e mundur, derisa ajo (Serbia) nuk tregon as interesimin më të vogël për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ai kërkoi që gjatë procesit të dialogut, nga Serbia të kërkohet regjistri i personave të pagjetur, veçanërisht fati i të zhdukurve në Burgun e Dubravës, sepse sipas tij, lidhur me këtë masakër dihen kryesit e saj.
Në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, foli kryetarja e këtij komisioni Duda Balje. Ajo tha se anëtarët e komisionit bashkë ndjejnë më të gjithë familjarët e të zhdukurve, ndërkaq, shprehi shqetësimin që edhe pas 19 viteve nuk dihet për fatin e personave të pagjetur. Edhe kjo, sikurse parafolësit vlerësoi se për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, duhet presion më i madh ndaj Serbisë.
Pas kësaj folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
Në emër të LDK-së, foli deputetja Lirije Kajtazi. Me këtë rast, ajo tha: "Kosova vazhdon të mbetet dosja e madhe e krimit të pandëshkuar në Ballkanin Perëndimor. Të gjitha faktet flasin qartë për shkaktarët e krimit, e ajo është Republika e Serbisë, dhe kjo është e vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare". Në vijim të fjalës së saj, Kajtazi, vlerësoi se viktimë dhe e poshtëruar duhet të ndjehet edhe bashkësia ndërkombëtare, pasi në tavolinën e bisedimeve ulet me një shtet i cili shkel konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga vet ajo.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli deputetja Flora Brovina, e cila fillimisht përkujtoi se Kuvendi, pareshtur ka ngritur këtë çështje dhe ka bërë thirrje që faktori ndërkombëtar të bëjë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por që rezultatet janë duke munguar. Ajo kërkoi angazhim shumë më të madh nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, sepse tha ajo, Serbia ka poseduar dhe kontrolluar të gjithë mekanizmat shtetëror serb të involvuar në krime.
Pas kësaj, fjalën e mori ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, i cili me këtë rast u shpreh:" Personat e pa gjetur janë dhe mbeten barra dhe kujtesa jonë e përgjithshme. Kjo barrë ende po vazhdon, sepse ende kemi fëmijë, gra e burra për fatin e të cilëve ende nuk dihet". Ai më pas foli për kujdesin ndaj familjarëve të të zhdukurve, të cilin ministria që ai drejton, ua dedikon këtyre familjeve. Lidhur me këtë, ai tha:" Edhe pse ndihma dhe mbështetja nuk mjafton për të shlyer dhimbjen e familjarëve, megjithatë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të paktën në mënyrë financiare ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë familjarët e të pagjeturve". Lidhur me këtë, ministri Reçica në vijim sqaroi se, në kuadër të Ministrisë së Punës ekzistojnë 7 zyra regjionale, të cilat janë të obliguara të zbatojnë Ligjin për persona të zhdukur, në aspektin procedural dhe administrativ. Po ashtu ai bëri të ditur se kjo kategori gëzon të drejtat dhe benificionet sipas nenit 13 të Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve dhe invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, për benificione të veçanta.
Në vijim, në emër të VV-së foli deputeti Albin Kurti, i cili me këtë rast ndër të tjera vlerësoi:" 19 vite pas luftës para e gjatë të cilës këta bashkatdhetar të tanë u zhdukën, gjendemi në një situatë të turpshme, sepse gjatë këtyre 19 viteve pak është bërë për të rritur trysninë ndaj Serbisë përgjegjëse për zhdukjen e tyre". Lidhur me këtë çështje, Kurti drejtoi akuza ndaj qeveritarëve, për të cilët ai vlerësoi se sillen sikur që historinë ta kishin pronë të tyre duke i kthyer në kapital personal, meritat e luftës, gjakun e dëshmorëve, si dhe dhimbjen për të pagjeturit.
Në fjalën e tij, Kurti kritikoi edhe sjelljen e Serbisë, duke thënë se lojërat e pushtetarëve të Serbisë, kurrë nuk kanë treguar as edhe prirjen më të vogël për të marr seriozisht kërkesat për të hulumtuar rastet e të pagjeturve.
Pas kësaj, deputetëve u është shfaqur një dokumentar për të pagjeturit, ndërkaq, është vijuar më pas me deklarimet e përfaqësueseve të grupeve parlamentare.
Deputetit Driton Çaushi, foli në emër të Grupit Parlamentar të Deputetëve të Pavarur.
Me këtë rast, ai kujtoi masakrat e shumta të regjimit serb në Kosovë, si dhe të zhdukurit, ndërkaq, kritikoi sjelljen e Qeverisë, e cila sipas tij nuk ka bërë gjithë qka qenë e mundur për fatin e tyre, sepse tha ai, kjo temë asnjëherë nuk ka qenë temë në bisedimet e Brukselit.
Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së foli deputeti Ahmet Isufi, i cili vlerësoi se debati i sotëm kujton një plagë të kahershme, e cila, sipas tij, peshon më rëndë se çdo tragjedi tjetër. Ai kërkoi që përpjekjet institucionale të intensifikohen edhe më shumë, në mënyrë që kjo çështje të zbardhet.
Pas kësaj fjalën e mori përfaqësuesja e Listës Serbe Jasmina Zhivkoviq, e cila vlerësoi se kjo çështje është duke u trajtuar, jo si duhet, por sipas saj, ka marrë konotacion politik. Foli më pas edhe për dhembjen që ndjejnë familjarët e të pagjeturve, ndërkaq, vlerësoi se është koha që bashkërisht të kërkojmë të vërtetën për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Në emër të NISMA-s foli deputetja Albulena Balaj- Halimaj, e cila vlerësoi se çështja e të pagjeturve, duhet të jetë parakusht i vazhdimit të dialogut me Serbinë.
Duke kërkuar që faktori ndërkombëtar të jetë edhe më i angazhuar për ndriqimin e rasteve të të zhdukurve, deputeti Albert Kinolli në emër të Grupit Parlamenatr 6+, po ashtu kërkoi që kjo çështje të trajtohet me prioritet nga të gjithë mekanizmat relevant shtetëror.
Pas kësaj folën një numër i madh deputetësh, të cilët shprehën opinionet e veta lidhur me këtë çështje, ndërkaq, në emër të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht, angazhimet e saja lidhur me fatin e të pagjeturve njoftoi ministri i kësaj ministrie, Abelard Tahiri.
Me këtë rast, ministri Tahiri tha se Ministria që ai drejton, në bashkëpunim me Komisionin shtetëror dhe përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, janë duke përgatitur një mori të votave verbale ndaj vendeve më të fuqishme evropiane, në mënyrë që kjo temë të jetë e shtruar në të gjitha takimet ku është prezentë Republika e Serbisë. Ai njoftoi më pas edhe për punën që është duke u bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, duke bërë të ditur po ashtu edhe angazhimet e tyre, në mënyrë që ky Institucion të rrisë kapacitetet.
Pas shterimit të debatit, deputetja Saranda Bogujevci paraqiti një rezolutë prej 11 pikash, e cila në mungesë kuorumi nuk u hodh në votim.