Lajmet e fundit

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, takoi ministrin për Pakica të Malit të Zi, Mehmet Zenka dhe zëvendësministrin e Arsimit, Marash Dukaj

E Enjte, 26.04.2018




Kryetari Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, ka pritur sot në takim ministrin për Pakica dhe të Drejta të Njeriut në Qeverinë e Malit të Zi, Mehmet Zenka, të shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Marash Dukaj.

Kryetari Kurteshi falënderoi delegacionin nga Mali i Zi për vizitën, e cila, sipas tij, jep mundësinë për tu njohur më për së afërmi me gjendjen dhe zhvillimet aktuale në të dyja vendet, por edhe për kërkesat që kanë ndaj njëri-tjetrit.

Ministri për Pakica dhe të Drejta të Njeriut, Mehmet Zenka, tha se është bërë progres në të gjitha fushat, por, sipas tij, kërkohet angazhim edhe më i madh në arritjen e aspiratave të komunitetit shqiptar në Mal të Zi. Ai kërkoi përkrahjen e politikës kosovare në shumë fusha.

"Kemi nevojë për përkrahjen e shtetit të Kosovës, si në: arsim, përkrahje politike, si dhe hapjen e qendrës kulturore për shqiptarë në Mal të Zi. Më këtë qendër synojmë bashkimin e shqiptarëve rreth kulturës", tha Zenka.

Ministri Zenka, foli edhe për kuadrot arsimore të shqiptarëve të Malit të zi, që ka prodhuar Kosova. Ai theksoi se Kosova ka vënë themelet e edukimit të shqiptarëve në Mal të Zi. Prandaj , ai kërkoi që përkrahja dhe vullneti për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve të jetë i thellë dhe frytdhënës. Ai falënderoi përzemërsisht shtetin e Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme.

Zëvendësministri i Arsimit, Marash Dukaj, foli për organizimin dhe funksionim e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, duke filluar nga edukimi parafillor, deri tek arsimi i lartë. Ai vuri ne dukje se arsimi funksionon sipas një programi studimor në gjuhën shqipe.

Ai tha se nuk mund të thuhet se shqiptarët e Malit të Zi janë të kënaqur me fushën e arsimit, por shtoi se falë angazhimeve të mëdha të politikës shqiptare, është arritur që të jetë shumë më i mirë se para një dekade.

Ai kërkoi përkrahje nga të gjithë akterët e fushës së arsimit në Kosovë, në shumë segmente, si: në organizimin e trajnimeve për mësimdhënës nga niveli parashkollor e deri tek ai universitar, lirimi i studentëve shqiptarë nga Mali i Zi nga provimi pranues në universitetet publike në Kosovë, pajisja e shkollave më tekste në gjuhën shqipe etj.

Kryetari Kurteshi nga ana e tij, u zotua se Komisioni për Arsim do të angazhohet maksimalisht që kërkesat e parashtruara t'i adresojë në instancat më të larta të shtetit të Kosovës.

 

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, takoi ministrin për Pakica të Malit të Zi, Mehmet Zenka dhe zëvendësministrin e Arsimit, Marash Dukaj