Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 25.04.2018




Komisioni për Buxhet dhe Financa, i kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, ka mbajtur sot në mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar disa projektligje dhe raporte.

Komisioni shqyrtoi raportin vjetor financiar të Autoritetit Kosovar Konkurrencës (AKK) për vitin 2017, raportin vjetor financiar të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) dhe atë të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHC).

Raportet i paraqitën drejtuesit e këtyre institucioneve të pavarura, përkatësisht Valon Prestreshi (AKK), Ramadan Gashi (ANJF) dhe Shkëmb Manaj (KPMSHC).
Pas diskutimeve, pyetjeve të deputetëve dhe sqarimeve përkatëse, komisioni miratoi raportet e prezantuara.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e raportit shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2017, të cilin para komisionit e paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Gjatë paraqitjes, sekretari Krasniqi prezantoi në përqindje shpenzimet e buxhetit të Kuvendit gjatë vitit të kaluar, nëpër kategori të ndryshme.

"Nga tabelat që i përmban vet raporti, shihet se buxheti i paraparë për vitin 2017, në total është shpenzuar në shumën prej 90.79 për qind", theksoi Krasniqi.

Ai tha se viti i kaluar ishte vit zgjedhor dhe si i tillë ka ndikuar në uljen e shpenzimeve të planifikuara.

Pas diskutimeve, komisioni i dha mbështetje raportit dhe i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit miratimin e tij.

Në këtë mbledhje, komisioni përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Liritë Fetare, me amendamente të komisionit funksional, me konstatimin se ato nuk përmbajnë kosto shtesë buxhetore.

Po ashtu, komisioni i dha mbështetje edhe Projektligjit për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën, me amendamente të komisionit funksional, duke vlerësuar se kostoja financiare është e përballueshme për buxhetin e shtetit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe FinancaNga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa