Lajmet e fundit

Veseli: Dekada e Re është dekada e shpresës për Kosovën

E Mërkure, 25.04.2018




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në konferencën "Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian", organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, ka thënë se dekada e re e pavarësisë së Kosovës është dekada e shpresës dhe e nevojës për ndryshim të shpejtë të vendit.

Duke bërë një bilanc të 10 viteve të shtetësisë së Kosovës, kryeparlamentari Veseli tha se në pak vite Kosova ka arritur rezultate që të tjerëve u janë dashur shumë dekada t'i arrijnë. Megjithatë, Veseli tha se ka qenë e mundur të bëhet edhe më shumë, edhe më mirë.

"Sot Kosova, nëse krahasohet me vendet e regjionit, në shumë segmente zhvillimore është ose baras ose para regjionit, por nëse bëjmë krahasimin me ato vende ku synojmë të arrijmë, atëherë e shohim se dekada e re e pavarësisë duhet të jetë dekadë e punëve të mëdha të përbashkëta, e përkushtimit të palodhur të të gjithëve, për një transformim të shpejtë ekonomik, për fuqizim të shtetit që reflekton zhvillimin ekonomik", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Më poshtë, fjalimi i plotë i kryeparlamentarit Kadri Veseli:

"Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj
Fillimisht dua t'i përshëndes organizatorët e kësaj konference, Grupin për Ballkan (BPRG), Demokracinë për Zhvillim (D4D) dhe Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Kjo punë e vyer është tregues i qartë i vitalitetit dhe përkushtimit që ka shoqëria civile kosovare për proceset madhore nëpër të cilat është duke kaluar vendi ynë.

Në fakt kemi të bëjmë me një traditë të gjatë të këtij përkushtimi. Shoqëria civile gjithmonë ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në avancimin e proceseve politike në Kosovë.

Uroj dhe besoj që kjo traditë shumë pozitive të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Çështja për të cilën jemi mbledhur në këtë konferencë ka rëndësi themelore për shtetin e Kosovës.

Vetëm dy muaj më parë ne kremtuam 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Marrë parasysh faktin se proceset e shtetndërtimit gjithmonë janë komplekse dhe shoqërohen me mospajtime e kundërshtime të ndryshme, bilanci i deritanishëm është gjithsesi pozitiv.

Në pak vite ne kemi arritur rezultate që të tjerëve u janë dashur shumë dekada t'i arrijnë. Kemi bërë shumë, por kemi mundur të bëjmë edhe më shumë, e realisht edhe më mirë në shumë drejtime.

Sot Kosova, nëse krahasohet me vendet e regjionit, në shumë segmente zhvillimore është ose baras ose para regjionit, por nëse bëjmë krahasimin me ato vende ku synojme të arrijmë, atëherë e shohim se Dekada e re e Pavarësisë duhet të jetë dekadë e punëve të mëdha të përbashkëta, e përkushtimit të palodhur të të gjithëve.

Dekada e re e pavarësisë së Kosovës është dekada e shpresës.

Është dekada e nevojës për ndryshim të shpejtë të kombit.

Për transformim të shpejtë ekonomik, për fuqizim të shtetit që reflekton zhvillimin ekonomik.

Është dekada në të cilën, secili dhe të gjithë, duhet të kemi më shumë besim dhe përkushtim për shtetin tonë të pavarur dhe sovran.

Përmbyllja e procesit të shtetndërtimit gjithsesi se përbën sfidën e parë të dekadës së re.

Aktualisht gjeopolitikat e reja, që po zhvillohen në botë, janë duke pasur një impakt pengues, ose jo ndihmues, sa i përket kompletimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Këtu kam parasysh:
- Krizën e Bashkimit Evropian, e cila ka lëkundur sigurinë e politikës së zgjerimit të tij;
- pastaj diplomacinë agresive të Rusisë,
- si dhe zhvillime të tjera gjeopolitike që cenojnë vlerat demokratike gjithandej botës.

Në anën tjetër fqinji ynë verior po përpiqet të përfitoj nga tërë ky konfuzion, në dëm të perspektivës sonë euro-atlantike.

Por ky realitet në asnjë mënyrë nuk bën të na dekurajoj.

Përkundrazi, duhet të na vetëdijësoj për faktin se bota po ndryshon vazhdimisht dhe ne duhet të mobilizojmë energjitë tona për ta shtyrë përpara projektin tonë të shtetndërtimit, fuqizimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe hapjen e perspektivës për zhvillim ekonomik të vendit.

Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj

Që të ecim përpara në këtë drejtim është e domosdoshme një kthesë reale në politikën tonë.

Me këtë kthesë nënkuptoj gadishmërinë që, në vend të polarizimit dhe dëshirës për ta mundur me çdo formë njeri tjetrin, t'i jepet prioritet kompromisit e konsensusit të përbashkët për çështjet e interesit nacional të vendit.

Duhet ta pranojmë se po humbim kohë dhe vendi po mbetet prapa për shkak të polarizimit dhe konfliktualitetit politik për pushtet.

Për tre vite kemi humbur energji duke fyer dhe etiketar njeri tjetrin, për çështje të cilat duhet të na bashkonin!

Kemi lënë namin dhe në fund, si papritur, kemi përfunduar diçka që hiç më ndryshe mund ta kryenim me pak qetësi dhe racionalitet edhe tre apo dy vite më parë.

Ndërsa përveç konfliktualitetit, përfituam edhe izolimin e qytetarëve tanë, në një Bashkim Evropian edhe ashtu shumë skeptik.

Qytetarët e Kosovës as nuk e duan e as nuk e meritojnë një gjë të tillë.

Qytetarët e Kosovës besojnë në shtetin e tyre dhe ne si klasë politike kemi për obligim ta justifikojmë këtë besim, jo me fjalë, por me punë konkrete e vendime të përbashkëta në të mirë të vendit.

Duke u nisur nga kjo, në fillim të kësaj jave, unë kam bërë publike një platformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës.

Dua të jem krejtësisht i drejtpërdrejtë:
- nuk e kam paraqitur këtë platformë as për ndonjë lloj protagonizmi politik, as kundër dikujt, apo për interesa të caktuara politike.

Ka vetëm një motiv i cili qëndron prapa kësaj platforme:
- nevoja për të kapëcyer situatën e vendnumërimit politik e institucional dhe ecjen përpara në përmbylljen e shtetndërtimit dhe avancimin në rrugën e integrimeve evro-atlantike.

Ka vetëm një metodë të sigurtë në arritjen e këtyre synimeve.

Kjo metodë është konsensusi i përbashkët për një grup çështjesh pa zgjidhjen e të cilave nuk mund të ecim përpara.

Unë kam listuar pesë të tilla :
1. Dialogun me Serbinë
2. Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
3. Themelimin e Ushtrisë së Kosovës
4. Agjendën e Integrimeve Evropiane, dhe
5. Reformën Zgjedhore

Këto çështje nuk bën të na ndajnë, e as të shndërrohen në mollë sherri për ta bllokuar veten si shoqëri dhe shtet.

Arritja e një konsensusi të përbashkët dhe gjithëpërfshirës për adresimin e shpejtë të këtyre çështjeve është i mundur dhe i domosdoshëm.

Në ditët në vazhdim duhet të ecim në këtë drejtim. Nuk ka asnjë alternativë më racionale se kjo.

Ne mund ta bëjmë këtë dhe jam thellësisht i bindur se gjithë qytetarët e presin prej nesh një lëvizje të tillë.

Nëse ndjekim këtë rrugë, të jeni të sigurtë se sfidat e Dekadës së Re të Pavarësisë do të përballohen shumë më lehtë dhe qëllimet tona shumë më shpejt do të realizohen.

Integrimi evro-atlantik është fryt i punës sonë, e jo dhuratë nga Brukseli.

Leksioni themelor i historisë sonë më të re është se kur kemi qenë të bashkuar suksesi nuk ka munguar asnjëherë.

Është koha ta rigjejmë frymëzimin e këtij leksioni dhe mbi bazën e tij ta përmbushim misionin për të cilën na kanë dhënë besimin e tyre qytetarët e Kosovës.

Ju faleminderit!".

 

 

Veseli: Dekada e Re është dekada e shpresës për Kosovën