Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Marte, 24.04.2018




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari Haxhi Shala, u diskutua lidhur me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2018.

Pasi kryetari i Komisionit, z.Shala dha disa të dhëna të dala nga raporti i KE-së, që prek kryesisht fushën e sigurisë në vend, u vë në pah fakti nga të gjithë anëtarët e Komisionit se sipas këtij raporti mbikëqyrja e FSK-së është jo e kënaqshme. Përkitazi me këtë, u tha se ka pasur edhe kritika për Komisionin. Ndaj në këtë çështje u fokusua edhe ky diskutim.

Pasi u përmend fakti se bazuar në këtë raport të KE-së ka pasur rënie të numrit të qytetarëve që shkojnë në luftë jashtë vendit, aty ishte vlerësuar edhe Ligji për të huajt dhe azil. Ndërsa, u tha se Policia e Kosovës mbetet institucioni më i besueshëm.

Komisioni kryesisht diskutoi lidhur me krijimin e një grupi pune për mbikëqyrje të Ligjit për FSK-në.

Pas këtij diskutimi, tutje Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu për miratim në seancë plenare raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2017, duke rekomanduar njëherazi që Qeveria ta procedojë në Kuvend çështjen e emërimit të bordit të kësaj agjencie. Në këtë pike, pati kritika të shumta, meqë u sqarua se kjo agjenci funksionon pa bord që dy vite.

Në vijim, zv/kryetari i parë i Komisionit, Rexhep Selimi, njoftoi në detaje Komisionin lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, duke velrësuar se janë në dinamikën më të lartë të punës.

Krejtësisht në fund, Komisioni u dakordua që të ftojë për raportime në Komision ministrin e MPB-së, Bejtush Gashi, si dhe ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së