Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Premte, 20.04.2018
Me kërkesë të VV-s mbështetur nga 40 deputetë nënshkrues, Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot seancë të jashtëzakonshme: debat parlamentar lidhur me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, (drejtuesi i seancës) fillimisht arsyetoi mbajtjen e kësaj seance, bazuar në Rregullores e Punës së Kuvendit.
Më pas, kryesuesi i seancës, fjalën ia kaloi deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, e cila në emër të grupit parlamentar të VV-s, paraqiti arsyetimin e thirrjes së kësaj seance për debat.
Ajo theksoi se Kosova nuk ka shënuar progres në asnjë prej fushave kryesore, dhe këtij raporti të progresit, emri që i përshtatet më së miri është raporti i regresit, pasi raporti paraqet shumë çështje që të gjitha qeveritë kanë dështuar të japin rezultate.
Të gjithë deputetët, të cilët u shprehën në emër të grupeve parlamentare, theksuan se mbajtja e kësaj seance duhet shtyrë për shkak të mungesës së përkthimit të këtij raporti në gjuhën zyrtare, (shqip dhe serbisht), si shkelje të të drejtës së deputetëve bazuar në rregulloren e Kuvendit, e megjithatë, të gjithë vijuan debatin lidhur me vlerësimin e gjendjes së Kosovës, shprehur në Raportin e Progresit.
Ndryshe, Glauk Konjufca në emër të grupit parlamentar të VV-së theksoi se terminologjia më e shpeshtë e përdorur në anglisht, në këtë raport, janë dy terma "early stage" dhe "weak", që vlerësojnë në shumë fusha dobët ose shumë dobët e të arriturave në vend. Nga notat më negative në këtë raport shprehen për sistemin e drejtësisë, politizimin e administratës, krimit të organizuar, sekuestrimin e pasurisë, fusha e arsimit, lirinë e të drejtave të njeriut, lirinë e shprehjes (kërcënimi ndaj medias), etj., duke arritur në 22 përfundime negative që është shprehur raporti.
Në emër të Qeverisë, fjalën e mori zv/kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili Raportin e Progresit e vlerësoi si një raport objektiv, të saktë dhe real. Ai ndër të tjera theksoi se kjo seancë duhet të shtyhet, sepse ne duhet të gjejmë një konsensus nacional, për të marrë një iniciativë mbarë politike dhe të vendosim për një platformë unike, me qëllim që të përcaktojmë saktë qasjen e qeverisjes së Kosovës drejt BE-së.
Më pas, në seancë u paraqit dhe mori fjalën edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili theksoi se koha e shkurtër, mos përkthimi në kohë i raportit dhe një analizë e qeverisë, do të duhej që kjo seancë të mos mbahej sot. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se është më e rëndësishme të flitet për sfidat se sa për të arriturat që janë theksuar në raport duke përmendur disa nga çështjet të cilat qeveria i ka analizuar se duhet të adresohen në të ardhmen, si: dobësitë që ka Kosova ta adresojë financimin e partive politike, mospërputhja e kornizës ligjore dhe barazia gjinore, incidentet në komunat që jetojnë serbët, reforma zgjedhore etj.
Të gjithë deputetët që morën fjalën, gjatë këtij debati konsideruan të papranueshëm vijimin e kësaj seance pa përkthimin e raportit në gjuhët zyrtare.
Pasi shterimit të debatit, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi, në emër të iniciuesit të debatit paraqiti rekomandimet, të cilat në mungesë kuorumi nuk u hodhën në votim.
Pas kësaj, drejtuesi i seancës mbylli punimet.