Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Enjte, 19.04.2018




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për ditët dhe javët në vijim.

Kështu, Kryesia vendosi që sipas kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues, të premten, më 20 prill, në orën 12:00, të mbahet seancë e jashtëzakonshme, në të cilën do të debatohet lidhur me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës.

Më 26 prill, ndërkaq, do të vazhdojë seanca e ndërprerë dje, me pikat e mbetura.

Një javë më pas, më 3 maj, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, në të cilën do të shqyrtoj disa projektligje dhe çështje të tjera.

Kështu, fillimisht, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim,
Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe atë për Amnistinë.

Më pas, pritet të emërohen drejtori dhe zëvendësdrejtori i Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e Propozimit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, si dhe të propozimit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbështetur edhe nga deputetët nënshkrues të grupeve të tjera parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia i vazhdojë mandatin sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi, për periudhën e ardhshme trevjeçare.

U shqyrtuan, gjithashtu, edhe propozime dhe kërkesa të tjera.

 

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit