Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Enjte, 19.04.2018
Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja e Komisionit Blerta Deliu-Kodra, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.
Gjatë kësaj mbledhjeje, ministrja Hoxha njoftoi lidhur me Raportin e KE-së për vendin, për vitin 2018, përkatësisht, sfidat dhe të arriturat e vendit tonë në përmbushjen e obligimeve në rrugën e integrimeve evropiane.
Në fillim të takimit foli kryetarja e komisionit, Blerta Deliu- Kodra, e cila vuri në spikamë angazhimin e komisionit që ajo udhëheqë, ndërkaq, e siguroi ministren se, për realizimin e agjendës së integrimeve, bashkëpunimi dhe përkrahja e komisionit për Ministrinë e Integrimeve do të jetë e pakursyer.
Ministrja Hoxha, ndërkaq, gjatë raportimit të saj u fokusua në vlerësimet pozitive të raportit, i cili sipas saj paraqet të arritura në të gjitha fushat.
"Raporti evidenton progresin e arritur, duke filluar me zgjedhjet e vitit 2017, si dhe të arriturat në administratë publike", tha ministrja Hoxha, dhe vijoi duke thënë se, e arritur tjetër, e nënvizuar në këtë raport është edhe ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit, progresi në zbatimin e pakos ligjore në integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe përparimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për sa i përket liberalizimit të vizave, ministrja, pasi shprehu bindjen e saj se lëvizja e lirë e qytetarëve të vendit tonë në Zonën Shengen do të realizohet deri në fund të vitit, po ashtu nënvizoi se, lidhur me këtë çështje, janë plotësuar 95 kriteret e kërkuara nga BE-ja.
Në vijim të takimit, ministrja u është përgjigjur edhe pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e Komisionit lidhur me këtë çështje.
Pas kësaj, ministrja Hoxha ka paraqitur Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2018-2022, të cilin anëtarët e Komisionit e miratuan unanimisht.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e dy projektligjeve: Projektligjin nr. 06/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe të Projektligjit nr. 06/L-012 për kryeqytetit e Republikës së Kosovës/ Prishtinën, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Pas shqyrtimit të tyre, komisioni i përkrahu të dyja projektligjet dhe vendosi t'i procedojë tutje sipas Rregullores së Punës.