Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

E Enjte, 19.04.2018




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, u shqyrtua raporti me amendamente i komisionit funksional në Projektligjin për Lirinë Fetare në Kosovë.
Me këtë rast, Komisioni i dha përkrahje unanime këtij raporti, ndërkaq, trajtoi në mënyrë specifike edhe amendamentin 6, të propozuar nga deputeti Nait Hasani, pa përkrahjen e komisionit funksional. Komisioni gjatë diskutimit lidhur me këtë amendament, vlerësoi se ka bazë kushtetuese dhe duhet të përkrahet.
Në vijim, Komisioni shqyrtoi raportin vjetor të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2017. Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, duke prezantuar raportin për vitin e kaluar, foli edhe për ndryshimet legjislative, me theks të veçantë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këtë agjenci dhe Ligjit për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë. Ai në vijim ka dhënë sqarime të shumta në çështje të ndryshme që u ngritën nga anëtarë të Komisionit.
Havolli, duke prezantuar ndryshimet legjislative, sqaroi fillimisht se hetimet paraprake do të ekzistojnë në ligjin e ri dhe se ato madje do të fuqizohen. Po ashtu, ai tha se do të shtohet dhe vlerësimi i rrezikut nëpër sektorë dhe se agjencia do të ketë të drejtë të bëjë vlerësimin e vet nëpër sektorë, ngase AKK-ja, sipas tij, tashmë posedon të gjitha mekanizmat ligjorë. Sipas tij, Strategjinë Kundër Korrupsionit tanimë do ta hartojë Qeveria, ndërsa Agjencia do të merret me monitorim të kësaj strategjie.
Sa i përket rolit dhe punës së AKK-së, Havolli sqaroi se gjatë vitit 2017, AKK-ja ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 357 raste, prej të cilave 45 janë bartur nga viti paraprak, kurse gjatë vitit 2017 janë pranuar edhe 312 raste. Prej tyre, sipas Havollit, 109 raste janë përcjellë në prokurori dhe polici për procedim të mëtejmë, ndërsa 17 raste janë përcjellë në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore. Ai sqaroi se 92 raste janë mbyllur, ndërsa 139 raste janë në procedurë.
Pas një diskutimi të gjerë nga anëtarë të Komisionit lidhur me punën e kësaj agjencie, raporti vjetor i punës së AKK-së, për vitin 2017, mori mbështetjen e Komisionit.
Sa i përket shqyrtimit të Raportit me amendamente lidhur me Projektligjin për Ndërmjetësim, kjo çështje mbeti të shqyrtohet në një mbledhje tjetër të radhës.
Ndërsa, lidhur me nismën e Komisionit për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familjen, kryetarja e Komisionit sqaroi se kjo çështje do të procedohet për deklaratë financiare dhe harmonizim me standarde evropiane.
Krejtësisht në fund, Komisioni formoi grupin e punës lidhur me Projektligjin për aktet juridike.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…