Lajmet e fundit

Nënkryetari Haliti dënon aktin e përdhosjes së flamurit kroat nga Vojisllav Sheshel

E Mërkure, 18.04.2018




Kryesuesi i seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka dënuar aktin e përdhosjes së flamurit të Kroacisë nga deputetë radikalë serbë, në krye me Vojisllav Sheshelin, në kohën kur në Serbi po qëndronte për vizitë kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.

"Më lejoni t'ju informojë rreth një çështjeje që mendoj se na takon edhe neve ta dënojmë, si një akt tepër të rëndë, antidemokratik, antievropian dhe jashtë çdo morali politik. Sot kryetari i parlamentit të Kroacisë ka qenë për vizitë në Serbi dhe përderisa ai ishte brenda në parlamentin serb, Vojisllav Sheshel, mund ta quajmë si të doni, kriminel lufte, i dënuar me 10 vjet burg, ka thyer shtizën e flamurit kroat dhe e ka përdhosur flamurin, duke e shkelur së bashku me grupin e vet parlamentar.


Delegacioni i Kroacisë e ka ndërprerë vizitën në Beograd dhe është kthyer në Kroaci. Kryetari i Parlamentit të Kroacisë ka gëzuar mbështetjen e shtetit të vet dhe të parlamentarëve kroatë. Po e them këtë sepse edhe ne shpesh herë po ballafaqohemi me probleme të cilat më tepër janë vepra të nacionalizmit të tipit Milosheviq e Sheshel. Na takon edhe neve, si Kuvend i Kosovës, të gjithë së bashku, ta dënojmë një akt të tillë", theksoi nënkryetari Haliti, gjatë punimeve të sotme të Kuvendit të Kosovës.