Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare

E Marte, 17.04.2018




Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, fillimisht u miratua mocioni i grupit parlamentar të LDK-së, për plotësimin e rendit të ditës lidhur me çështjen e formimit të Komisionit hetimor për rastin e deportimit nga Kosova të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë.

Po ashtu, u përkrah edhe propozim-vendimi i Qeverisë për Ratifikimin e nëntë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit. Ndërkaq, sa i përket votimit të Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar, ky projektligj nuk arriti të miratohet me 2/3 e votave edhe pas disa herë përsëritjesh të votimit.

Ndërkaq, Kuvendi me shumicë votash miratoi në parim edhe këto projektligje: Projektligjin për gjykatat, Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Pasi deputetët përkrahën edhe raportin e operatorit të sistemit, transmisionit dhe tregut-KOSTT sh. a., përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, u vendos që të shqyrtohet në një mbledhje tjetër.

Kuvendi vazhdoi punimet me procesin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës. Mirëpo, meqë asnjëri nga kandidatët e propozuar (Arbër Hadri dhe Driton Mulaj) nuk morën vota të mjaftueshme, konkursi për drejtor të kësaj agjencie do të përsëritet.

Tutje, deputetët me votim të fshehtë kanë zgjedhur anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave. Me këtë rast, anëtare e KPM-së nga radhët e komunitetit shumicë është zgjedhur Violeta Hyseni-Kelmendi, ndërkaq nga radhët e komunitetit serb është zgjedhur Maja Sllaviq. Ndërsa, për kandidatët e komuniteteve tjera do të përsëritet konkursi.

Pas pauzës, Kuvendi ka vazhduar punimet me interpelancën e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me Sistemin informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private në Republikën e Kosovës.

Deputetja Fatmire Kollçaku, në fjalën e saj, dha vërejtje lidhur me sistemin informativ dhe sigurimet shëndetësore. Ajo tha se pa Sistem Informativ Shëndetësore nuk mund të ketë sigurime shëndetësore. Më pas, Kollçaku kërkoi nga ministri të raportohet çdo tre muaj, të përgatitet një planë strategjik dhe të shqyrtohet lista e barnave esenciale.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, nga ana e tij, prezantoi objektivat e ministrisëqë ai drejton. Lidhur me projektin për implementimin e SISH-it, i cili ka filluar në vitin 2011, ai tha se është paraparë të kryhet në tri faza.

"Asnjërën fazë të këtij projekti unë s'e kam gjetur të realizuar plotësisht, ashtu siç ishte e planifikuar me dokumente strategjike. Në pesë institucione ku është shtrirë SISH-i, është konstatuar se vetëm 39 për qind e pacientëve janë evidentuar në sistemin informativ, pra një përqindje e ulët. Natyrisht nuk duhet të hedhet gurë e baltë mbi projektin, ka pasur të mira, fakti i mirë ka qenë që është iniciuar si ide, janë bërë dokumentet strategjike, janë bërë përpjekje që të arrihet, mirëpo raporti i bërë nga zyra e auditorit na ka treguar se ky projekt ka pasur shumë të meta", tha Ismaili.

Ai shtoi se Këshilli Nacional i SISH-it do të ketë para vetes edhe një dokument shumë të rëndësishëm, pasi gjatë kësaj kohe MSH-ja ka arritur të hartojë një plan, i cili parasheh që brenda 18 muajve të realizohet implementimi i Sistemit Informativ Shëndetësor në tërë Kosovën.

Në emër të GP të LDK-së, deputeti Haxhi Avdyli tha se në sektorin e shëndetësisë për këto 18 vite i ka munguar prioriteti, duke e parë si humbje të hapit për avancim cilësor. Ai tha se në sistem të shëndetësisë ka ngecje të reformave, duke vënë në pah si të vetmin vend pa sigurime shëndetësore, me shërbime me të ulëta dhe mungesë të barnave esenciale.

Flora Brovina, në emër të GP, PDK, deklaroi se Ministria e Shëndetësisë ka filluar së implementuari sistemin informativ shëndetësor që nga viti 2011 në tri faza. Ajo tha se Zyra e Auditorit na ka shërbyer për t'u informuar se ku gjendemi me implementimin e projektit. Ai tha se ka rritje të buxhetit në vlerën prej 21 për qind, në krahasim me atë paraprak.

Nga GP i LVV-së, deputeti Xhelal Sveçla tha se është shumë me rëndësi që të jepet përgjegjësi lidhur me dështimet në sektorin e shëndetësisë, duke e cilësuar të një niveli shumë të ulët. Ai tha se SISH-i duhet të jetë prioritet. Sveçla tha se problemet janë trashëguar edhe nga qeverisjet e mëparshme, ndërsa objektivë, tani, sipas tij, duhet të jetë ofrimi i shërbimeve të plota dhe adekuate për qytetarët.

Besa Baftiu GDP, vuri në dukje se edhe pse që rezoluta për shërbime me të mira në sistemin e shëndetësisë është miratuar në 2014, ende nuk është arritur progres. Mungesën e Sigurimeve Shëndetësore, Baftiu e konsideroi shkelje të të drejtave të njeriut. Më pas, ajo pohoi se mungesa e Sigurimeve Shëndetësore po i kushton buxhetit te Kosovës.

Time Kadrijaj nga GP i AAK-së, foli për keqqeverisjen dhe keqmenaxhimin nga qeverisjet e kaluara. Lidhur më këtë, ajo theksoi se SISH-i është dashur të implementohet në vitin 2011, në tri faza. Po ashtu ajo vuri në pah ngecjet në implementimin e projektit, duke vlerësuar se deri tani është realizuar vetëm 47 për qind e tij.

Enver Hoti nga GP NISMA, foli për mosrealizimin e SISH-it, ndërsa gjendjen e konsideroi jo të mirë, duke u nisur nga funksionimi i objekteve e deri te aparaturat, për të cilat, siç tha janë, janë shpenzuar para ndërsa nuk janë funksionale. Po ashtu, Hoti përmendi ndarjen e buxhetit për barnat dhe për të cilat ende ka mungesë, duke ua rënduar edhe me tej gjendjen qytetarëve.

Konform minutazhës së përcaktuar me rregullore, deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare adresuan një varg çështjesh që lidheshin me temën e interpelancës por edhe me probleme të tjera në sektorin e shëndetësisë, si dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit Ismaili. Ata po ashtu dhanë edhe sugjerime konkrete, me qëllim të përmirësimit dhe funksionimit sa më të mirë të sistemit të shëndetësisë.

Ministri Uran Ismaili disa herë doli në foltore për të dhënë sqarimet e nevojshme në çështjet e ngritura, duke përmendur njëkohësisht hapat e ndërmarrë gjatë muajve të fundit dhe përkushtimin për të përmirësuar gjendjen në sistemin shëndetësor.

Deputetja Kollçaku, në cilësi të iniciuesit të interpelancës, paraqiti para deputetëve disa rekomandime, por në mungesë të kuorumit, nuk u hodhën në votim. Kryesuesi i seancës kërkoi që rekomandimet të harmonizohen me grupet e tjera parlamentare.

Seanca vazhdon nesër, në orën 11:00.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenare