Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Hënë, 16.04.2018




Mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga
kryetari Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti)
filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në
pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Albena Reshitaj, Mahir Yagcilar,
Skender Reqica, Kujtim Gashi, Rrustem Berisha dhe Shyqeri Bytyqi.
Para fillimit të shqyrtimit me pikat e parapara të rendit të ditës së kësaj
mbledhjeje, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini,
Inovacion dhe Ndërmarrësi, paraqiti kërkesën për plotësimin e rendit të
ditës.
Me këtë rast, kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, sqaroi se Komisioni
ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin e Qeverisë për Ratifikimin e anëtarëve
të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,
ndërkaq, kërkoi që kjo çështje të futet në rend dite.
Plotësim të rendit ditës kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes
Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ai propozoi që të hyjë në rend dite
edhe çështja e formimit të Komisionit hetimor lidhur me rastin e deportimit
nga Kosova të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë.
Gjatë qëndrimeve të grupeve tjera parlamentare lidhur me këtë çështje, u
theksua se fillimisht Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete,
Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion,
duhet ta japë interpretimin lidhur me kryesimin e këtij komisioni hetimor.
Pas një pauze, propozimi i Komisionit për Arsim, mori aprovimin e
deputetëve. Ndërkaq, mocioni i LDK-së, lidhur me formimin e Komisionit
hetimor për rastin e deportimit nga Kosova të gjashtë shtetasve të
Republikës së Turqisë, nuk pati kuorum për vendimmarrje. Përkitazi me
këtë, Albulena Haxhiu sqaroi se Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e
sotme të jashtëzakonshme, ka shqyrtuar çështjen e formimit të këtij
komisioni hetimor dhe konstatoi se Grupi Parlamentar i LDK-së, si iniciues i
çështjes, nuk mund të kryesojë Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje
me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Në vijim Kuvendi vazhdoi me shqyrtimin e vendimit të Qeverisë për

Ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë
Kosovare të Akreditimit.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,Shyqeri Bytyqi, bëri të ditur
se përzgjedhja është bërë sipas udhëzimit administrativ dhe se aplikimi ka
qenë i hapur për të gjithë. Ndërkaq, selektimi i anëtarëve të KSHC-së, sipas
Bytyqit, është bërë sipas kritereve të udhëzimit administrativ, të ndara në
katër fusha.
Kryetari i komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, prezantoi listën me emra të
përzgjedhur për anëtarë të KSHC-së, si në vijim: Xhavit Rexhaj, Vjollca
Krasniqi, Gazmend Luboteni, Arta Jakupi, Rozafa Lila, Dukagjin Zeka.
Në mungesë kuorumi, nuk u arrit të votohet ratifikimi i anëtarëve të KSHC-
së.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për
Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi
transferimin e personave të dënuar.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, prezantoi dhe e arsyetoi projektligjin,
duke bërë të ditur se nëpërmjet tij rregullohen procedurat për paraqitjen e
kërkesës dhe parashtresës.
Albulena Haxhiu, në emër të Komisionit për Legjislacion, paraqiti
rekomandimin për miratimin e projektligjit.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, prezantoi edhe Projektligjin për
gjykatat, të cilin e konsideroi në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së. Ai
tha se nëpërmjet këtij projektligji shërbimet do të ofrohen sa më afër
qytetarëve, ndërsa brenda sistemit gjyqësor do të ketë konkurrencë dhe
cilësi.
Pas prezantimit të rekomandimit të komisionit funksional, debati vazhdoi me
diskutimet e deputetëve.
Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi për herë të parë edhe katër projektligje të
tjera: Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për
Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për veprimtaritë
hidrometeorologjike dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit
për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës.

Projektligjet u prezantuan dhe arsyetuan nga ministrat e resorëve përkatës,
ndërsa deputetët, me diskutimet e tyre, kontribuuan në eliminimin e
lëshimeve të evidentuara në përmbajtje dhe dhanë propozime konkrete në
nene të caktuara të tyre.
U shqyrtua gjithashtu, edhe Projektligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës
për Shërbimin Civil të Kosovës, të cilin në emër të komisionit funksional, në
cilësi të sponsorizuesit, e paraqiti deputeti Nait Hasani.
Seanca vazhdon punimet nesër, në orën 10:00, me pikat e mbetura.

 

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit