Lajmet e fundit
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiana, Blerta Deliu Kodra, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë
E Premte, 13.04.2018
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, z. Laszlo Markusz, konsulin, z. Zoltan Solyom, si dhe këshilltarin për procesin integrimit në Qeverinë e Kosovës, z. Oskar Füzes.
Fillimisht, Deliu-Kodra e falënderoi ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Kosovës, ndërkaq, e njoftoi atë për të arriturat dhe sfidat me të cilat Kosova është duke u ballafaquar gjatë procesit të integrimeve.
Kryetarja e Komisionit gjithashtu e falënderoi ambasadorin edhe për bashkëpunimin parlamentar lidhur me ndihmën nëpërmjet ekspertëve të integrimeve evropiane në kuadër të Projektit të Binjakëzimit.
Ndërsa, ambasadori Markusz gjatë këtij takimi tha se Hungaria është e gatshme të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian. Markusz po ashtu vlerësoi edhe rolin e Komisionit për Integrime Evropiane, veçanërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe mbikëqyrjes së përmbushjes së agjendës për reforma evropiane.