Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë
E Premte, 13.04.2018
Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë i kryesuar nga Ganimete Musliu, zëvendëse e parë e kryetarit të Komisionit, sot mbajti mbledhje të rregullt.
Edhe pse në rend të ditës ishte paraparë që, z. Latif Merovci, zëvendës i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, para anëtarëve të Komisionit, të paraqesë Raportin për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, kjo nuk ndodhi, sepse nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë u dërgua njoftimi zyrtar se duke e pasur parasysh situatën ekzistuese, të krijuar rreth Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Raporti duhet të shtyhet deri në sqarimin e qëndrimit, përkatësisht deri te krijimi i kushteve, duke i përfshirë edhe ato formale, përmes së cilave drejtori i AKI-së ushtron funksionin e vet në pajtim me Ligjin nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.