Lajmet e fundit

Kuvajti mbështet Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit

E Enjte, 12.04.2018




Agjenda e sotme e takimeve në Kuvend e Grupi parlamentar të Miqësisë Kuvajt - Kosovë, është përmbyllur me pritjen nga Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, e cila kryesoi takimin, shprehu konsideratën për miqësinë që Kuvajti dhe Kosova tashmë kanë lidhur midis tyre, dëshmi e të cilës janë edhe takimet e ngrohta e miqësore që po zhvillohen midis përfaqësuesve të zgjedhur të të dy popujve.

Ajo e konsideroi shumë të çmuar për Kosovën mbështetjen e deritashme të Kuvajtit për Kosovën në kohë të ndryshme dhe fusha të shumta, ndërsa e cilësoi të nevojshme vazhdimin e kësaj përkrahjeje, tashmë në rrethana të reja.

Osmani vlerësoi se vizitat e ndërsjella mund të shërbejnë për të ndërtuar raporte me parlamente të vendeve të tjera të botës islame, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Elmi Reçica, Visar Ymeri, Time Kadriaj, Dukagjin Gorani, Zafir Berisha e Danush Ademi, thanë se qëndrimi i Kuvajtit në krah të Kosovës do të thotë shumë për shtetin e ri, ngase, siç thanë ata, Kosovës i duhet mbështetje, si për të rritur numrin e njohjeve nga shtetet e botës islame, ashtu edhe për të penguar përpjekjet e Serbisë për të bindur ndonjë shtet të këtij rajoni të tërheq njohjen.

U tha se Serbia po përpiqet të përfitojë në këtë pjesë të botës, në emër të një federate që nuk ekziston më, duke u thirrur si trashëgimtare e saj.

E një rëndësie të veçantë u konsiderua edhe përkrahja e Kuvajtit për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç janë INTERPOL-i dhe UNESCO.

Kryesuesi i delegacionit parlamentar të Kuvajtit, Waleed Al- Tabtabaie, tha se populli i Kosovës, edhe pse i vogël, falë përpjekje të pareshtura të tij, arriti të fitojë diçka të madhe, pavarësinë, duke përfituar njëkohësisht edhe mbështetjen e shumë shteteve të fuqishme të botës.

Ai shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit, ndërsa e konsideroi shumë të rëndësishme që Kosova të përfitojë projekte nga fondi kuvajtian i zhvillimit, por për këtë, siç tha ai, fillimisht duhen studime të hollësishme fizibiliteti.

Kuvajti mbështet Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të përparimitKuvajti mbështet Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit