Lajmet e fundit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut... takoi Grupin e Miqësisë nga Kuvajti
E Enjte, 12.04.2018
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Duda Balje, kryetare, priti sot në takim Grupin parlamentar të Miqësisë nga Kuvajti.
Gjatë takimit me miqtë nga Kuvajti, kryetarja Balje prezantoi punën e komisionit që ajo drejton, fushat kryesore të përgjegjësisë dhe sfidat me të cilat ai përballet gjatë ushtrimit të veprimtarisë së vet.
Balje i njohu parlamentarët kuvajtianë me ligjet të cilat komisioni i ka në procedurë të shqyrtimit, për temën e ndjeshme të të pagjeturve, për peticionet që adresohen nga qytetarët etj.
Aspekte të punës së komisionit paraqitën edhe anëtarë të tjerë të tij, ndërsa në kuadër të bashkëpunimit midis dy shteteve, theksuan nevojën për mbështetje fusha të ndryshme.
Kryesuesi i delegacionit nga Kuvajti, Waleed Al- Tabtabaie, marrëdhëniet e deritashme midis dy vendeve i konsideroi të mira dhe shtroi nevojën që të vazhdohet në këtë frymë. Ai shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën në shumë segmente, si: ekonomi, arsim, shëndetësi, bujqësi, sferën sociale etj.
Kreu i grupit të miqësisë nga Kuvajti shprehu dëshirën që shteti i Kosovës të forcohet çdo ditë e më shumë se çdo segment.
Waleed Al- Tabtabaie i njohu parlamentarët e Kosovës edhe me rolin dhe fushëveprimtarinë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut të parlamentit kuvajtian, të cilin ai e kryeson, si dhe për mënyrën e rregullimit të shumë çështjeve të ndjeshme për shoqërinë kuvajtiane.