Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Mërkure, 11.04.2018




Të hënën, më 16 prill 2018, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në praninë e kryetarëve të grupeve parlamentare.

Në seancën e të hënës, Kuvendi do të mbajë pesë interpelanca, katër debate parlamentare dhe do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe çështjesh të tjera (shih rendin e ditës në uebfaqe).

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe kërkesa e çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Kështu, Kryesia e procedoi në komisionin funksional Ligjin nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, pas kthimit të tij nga presidenti. Po ashtu, u proceduan në komision edhe tri projektligje të tjera, për shqyrtim para miratimit në parim në seancë plenare: Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale.

Për mendim në qeveri, ndërkaq, u procedua nisma legjislative "Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete", hartuar nga deputeti Mërgim Lushtaku, mbështetur nga 9 deputetë, si dhe nisma legjislative "Projektligji për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme", hartuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryesia miratoi edhe Propozim-Kornizën Afatmesme të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2019-2021, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit