Lajmet e fundit

Veseli: Doktor Hafir Shala ishte mjeku i plagëve të para të luftëtarëve të UÇK-së

E Marte, 10.04.2018




Sot, në 20-vjetorin e rrëmbimit nga forcat serbe të doktorit Hafir Shala, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka cilësuar atë intelektual me diapazon të gjerë të dijes e përgatitjes profesionale, humanist të jashtëzakonshëm dhe personalitet të shquar të Drenicës.

Në një akademi të organizuar sot për nder të doktor Hafir Shalës, Veseli tha ndonëse kanë kaluar dy dekada, shteti serb ende nuk ka dhënë llogari për fatin e tij.

Kryeparlamentari Veseli tha se doktor Hafiri ishte mjeku i plagëve të para të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zhdukja e tij që në ditët e para të luftës ishte pjesë e luftës speciale të Serbisë, nëpërmjet të cilës ajo synonte të frikësonte kolegët e doktor Hafirit që të qëndrojnë larg frontit të luftës. Por ky synim i errët, shtoi Veseli, nuk u realizua.

"Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kishte nisur luftën për ta çliruar përfundimisht Kosovën. Radhët e saj brenda një kohe të shkurtër u dhjetëfishuan. Dhjetëra mjekë iu përgjigjen thirrjes së lirisë, duke ndjekur shembullin dhe guximin e doktor Hafirit. Sakrificat ishin të mëdha, por ne ja dolëm: Kosova fitoi lirinë dhe Serbia u dëbua përgjithmonë nga Kosova. Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, falë sakrificës mbinjerëzore të njerëzve tanë, në mesin e të cilëve ishte edhe doktor Hafir Shala", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se mirënjohja e thellë për mundin dhe gjakun e derdhur për liri do të ekzistojë përherë dhe se asnjëherë nuk do të pushohet së kërkuari drejtësi për krimet e kryera nga ushtria gjenocidale e Serbisë mbi popullatën shqiptare gjatë luftës.

"Janë mijëra qytetarë tanë për fatin e të cilëve Serbia duhet të flas, të tregojë të vërtetën për zhdukjen e tyre dhe të japë llogari. Në mesin e tyre edhe për doktor Hafir Shalën. E vërteta dhe drejtësia kurrë nuk vjetrohen", tha kryeparlamentari Veseli.

 

Veseli: Doktor Hafir Shala ishte mjeku i plagëve të para të luftëtarëve të UÇK-sëVeseli: Doktor Hafir Shala ishte mjeku i plagëve të para të luftëtarëve të UÇK-sëVeseli: Doktor Hafir Shala ishte mjeku i plagëve të para të luftëtarëve të UÇK-sëVeseli: Doktor Hafir Shala ishte mjeku i plagëve të para të luftëtarëve të UÇK-sëVeseli: Doktor Hafir Shala ishte mjeku i plagëve të para të luftëtarëve të UÇK-së