Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Marte, 10.04.2018
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, u shqyrtua Propozim-vendimi i Qeverisë lidhur me kandidatët për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Pas një diskutimi të anëtarëve të Komisionit lidhur me këto propozime dhe pasi u shprehën qëndrimet pro dhe kundër kësaj liste, Komisioni me vota të barabarta (4 për, 4 kundër dhe 1 apstenim) nuk miratoi këto propozime. Propozim vendimi i qeverisë procedohet në seancë plenare, pa aprovimin e Komisionit.
Edhe gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe pasi disa nga anëtarë të Komisionit paraqitën një sërë vërejtjesh përmbajtësore, teknike dhe gjuhësore, projektligji nuk mori vota të mjaftueshme për miratim, pasi që edhe kjo çështje u vendos me vota të barabarta (5 për dhe 5 kundër). Edhe ky projektligj mund të procedohet në seancë plenare pa aprovim të Komisionit.