Lajmet e fundit
Komisioni për Arsim... mbajti tryezë lidhur me arsimimin e personave me aftësi të kufizuar
E Marte, 10.04.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka organizuar tryezë lidhur me arsimimin e personave me aftësi të kufizuar.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Forumit të shoqatave për persona me aftësi të kufizuara etj.
Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Arbër Gecaj, tha se institucionet arsimore ende nuk kanë statistika të sakta të numrit të personave më aftësi të kufizuar.
Ndërkaq, beri të ditur se një pjesë e kompetencave ka kaluar në nivelet lokale. Sipas Gecajt, përafërsisht 50 për qind e fëmijëve më aftësi të kufizuara janë të përfshirë në sistemin e rregullt shkollor.
Bujar Kadriu, kryetar i Forumit Kosovar për persona me aftësi të kufizuar, tha se janë të hapur për të punuar më të gjithë akterët, për ta përmirësuar gjendjen e edukimit dhe arsimimit për personat e këtyre kategorive.
Përfaqësuesit e shoqatës së personave të shurdhër ngritën shqetësimin lidhur me këtë kategori shoqërore, meqë, siç thanë ata, përdorin një gjuhë më specifike. Kjo kategori, sipas tyre, nuk mund të ketë gjithpërfshirje, ngase nuk mund të ndahet gjuha e përbashkët me bashkëmoshatarët e tjerë. Si pasojë e kësaj, ata vunë në pah që 96 për qind e të shurdhërve në shkolla të mesme dalin analfabetë, ngase mësimdhënësit nuk përdorin gjuhën e njëjtë të nxënësve.
Lulavere Behluli, përfaqësuese e MASHT-it për persona me aftësi të kufizuara, prezantoi në hollësi një varg çështjesh dhe zhvillimesh të aktiviteteve edukative për këtë kategori të shoqërisë sonë.
Mexhid Foniqi, kryetar i shoqatës të të verbërve, kërkoi zbatueshmëri të ligjit lidhur me personat e verbër. Ai po ashtu bëri thirrje për futjen e sistemit të Brailly-it në të gjitha institucionet shkollore.
Në këtë tryezë edhe anëtarët e komisionit u treguan të përkushtuar dhe të gatshëm që të çojnë përpara proceset dhe kërkesat e kësaj kategorie, në mënyrë që të jenë të integruar në të gjitha institucionet me të drejtat që u takojnë.
Në fund të takimit, në emër të komisionit, kryetari Ismajl Kurteshi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe diskutuesit për kontributin e dhënë, duke theksuar se do të shqyrtohen në hollësi të gjitha vërejtjet dhe propozimet e tyre.