Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Marte, 10.04.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Vjosa Osmani kryetare, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Raporti kishte të bënte me investimet strategjike dhe sfidat të cilat paraqiten gjatë zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike, të cilin para komisionit e paraqiti drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa.
Duke paraqitur punën e tri viteve të fundit të KIESA-s, drejtori Mustafa, me këtë rast, nënvizoi: " Në tri vitet e kaluara, kemi realizuar 24 panaire për promovimin e produkteve kosovare, 14 prej të cilave për promovimin e potencialeve turistike, në të cilën kanë marrë pjesë 285 ndërmarrje të ndryshme, prodhuese, apo operatorë turistikë".
Po ashtu, vijoi ai, gjatë kësaj kohe, në vendin tonë kanë qëndruar në vizitë përfaqësues të 14 kompanive të ndryshme, të interesuara që nga afër të shohin mundësitë investive.
Në vijim të fjalës së tij, drejtori i KIESA-s Mustafa, bëri të ditur se në kuadër të programeve zhvillimore të udhëhequra prej tyre, kanë përfituar 149 kompani, kryesisht gra ndërmarrëse në Kosovë. Më pas, ai bëri të ditur se KIESA ka realizuar edhe programe për këshillime, nga të cilat kanë përfituar 179 kompani.
Për të transferuar njohuritë e fundit akademike nga universiteti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë, vijoi ai më pas, kemi realizuar edhe një program për lidership biznesi, nga i cili gjatë tri viteve kanë përfituar 440 studentë dhe 376 ndërmarrje publike.
Për të pasur informacione më të sakta për sfidat, zhvillimet dhe ambiciet e planit të tyre zhvillimorë, sqaroi më pas Mustafa, kemi realizuar 1122 vizita në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.
Lidhur me Ligjin për Investime Strategjike, ndërkaq, tha ai, kemi arritur që të miratojmë 4 akte nënligjore, të cilat mundësojnë zbatimin në plotni të këtij Ligji.
Duke folur për sfidat në realizimin sa më të madh të investimeve strategjike, drejtori i KIESA-s, nënvizoi: paqartësitë mbi rolin dhe përgjegjësinë e organeve të ndryshme qeveritare, qendrore dhe komunale për promovimin dhe mbështetjen e investimeve të huaja në Kosovë, kapacitetet e ulëta njerëzore, financiare dhe ligjore të KIESA-s për të ndërtuar dhe zbatuar një pako konkurruese të mirëfilltë promovuese dhe mbështetëse për investitorët e huaj dhe strategjik në Kosovë, si dhe imazhi i pafavorshëm ndërkombëtar i Kosovës, i cili, tha ai, kërkon investim të vazhdueshëm.
Në fund, drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Mustafa, u është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta që ngritën anëtarët e komisionit.