Lajmet e fundit

Komisioni për Legjislacion... mbajti dëgjim publik për Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur

E Premte, 06.04.2018




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot dëgjim publik për Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur.

Të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, UNICEF-it, prokurorë e avokatë etj.

Duke folur për qëllimin e këtij dëgjimi, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se nëpërmjet tij synohet të merren vërejtjet dhe sugjerimet nga institucionet të cilat janë të thirrura ta zbatojnë këtë kod.

Ajo e konsideroi projekt-kodin më të arrirë se sa kodin në fuqi, por paraqiti gjithashtu disa vërejtje lidhur me nene të caktuara të tij. Haxhiu u fokusua te arsimimi i të miturve gjatë kohës së qëndrimit nëpër qendra edukative-korrektuese, ndërsa shqetësuese e konsideroi qëndrimin e tyre nëpër ambiente të përbashkëta me të rritur.

Kryetari i grupit punues, deputeti Shkumbin Demaliaj, prezantoi në hollësi përmbajtjen e këtij projekt-kodi dhe u ndal në segmente të caktuara të tij, të cilat paraqesin risi, kundruall kodit i cili është në fuqi. Ai shfaqi shpresën se ky dëgjim publik do të ndikojë në sensibilizimin e të gjithë atyre që merren me zbatimin e këtij kodi apo preken drejtpërdrejt nga ai.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Faton Fetahu dhe Ardian Bajraktari, theksuan përkushtimin e këtij dikasteri për ta bërë sa më funksional ligjin, i cili, sipas tyre, u është nënshtruar edhe ekspertizave shtesë të UNICEF-it.

Ata thanë se nëpërmjet një kapitulli të veçantë trajtohen moshat të cilat nuk marrin përgjegjësi penale.

Gjatë diskutimeve të tyre, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë një vëmendje të posaçme i kushtuan edhe sigurimit të një arsimimi sa më cilësor, për çfarë u angazhua edhe Drejtori i Qendrës për Fëmijë dhe Femra në Lipjan, Heset Loku.

Me diskutimet e tyre kontribuuan edhe pjesëmarrës të tjerë në këtë dëgjim publik, të cilët paraqitën vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, duke e vlerësuar projekt-kodin të një rëndësie të veçantë për këtë grup-moshë të qytetarëve.

Diskutuesit u ndalën në aspekte të ndryshme përmbajtësore të projekt-kodit dhe dhanë propozime konkrete në shumë nene të tij, të cilat, sipas tyre, eliminojnë disa defekte të draftit të parë dhe kontribuojnë në hartimin e një projektligji sa më përmbajtësor.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, theksoi se komisioni do të shqyrtojë me hollësi vërejtjet dhe propozimet e tyre, në funksion të hartimit të një kodi sa më cilësor dhe të zbatueshëm.

 

Komisioni për Legjislacion... mbajti dëgjim publik për Projekt-Kodin e Drejtësisë për të MiturKomisioni për Legjislacion... mbajti dëgjim publik për Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur