Lajmet e fundit

Kuvendi debatoi lidhur me deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve të Turqisë

E Mërkure, 04.04.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së 40 deputetëve, për të debatuar lidhur me rastin e deportimit nga Kosova të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë.

Fillimisht, përfaqësues të grupeve parlamentare paraqitën qëndrimet e tyre përkitazi me këtë rast.

Iniciuesi i kësaj seance, njëherësh kryetar i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se rasti i depërtimit të gjashtë shtetasve turq përbën shkelje të ligjeve të Kosovës dhe konventave për të drejtat e njeriut.

Ai duke ju referuar informacioneve të AKI-së, se qytetarët e arrestuar përbënin rrezik për vendin, ka pyetur se çfarë rreziku mund të paraqesin mësimdhënësit të cilët shkolluan shumicën e fëmijëve të politikanëve të Kosovës.

Sipas tij, Kosova duhet të respektojë të dhënat kredibile që vijnë nga shtetet e tjera, sidomos atyre mike, siç është Turqia, ku individë apo grupe paraqesin rrezik për vendin e tyre, por që sipas tij, duhet respektuar ligjet dhe të bëhet me transparencë.

Në fund të fjalës së tij, Hoti paraqiti para deputetëve një propozim-rezolutë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kuvendi do të duhej të thoshte fjalën e vet për këtë zhvillim, por ka mungesë të raporteve për mënyrën se si ka ndodhur rasti.

Ai shtoi se asnjë nga deputetët nuk ka marrë ndonjë raport për mënyrën se si u arrestuan shtetasit turq dhe u depërtuan për në Turqi. Krasniqi kërkoi nga qeveria që t'i informojë deputetët se pse është marrë ai aksion, cilat janë masat që do të ndërmerren dhe pasojat në skenën ndërkombëtare.

Ai tha se sot duhet qartësi në lidhje me veprimet që kanë ndodhur dhe kjo, sipas tij, shkon përtej informacioneve që janë servuar në publik. Sipas Krasniqit, nuk mund të ketë indiferencë ndaj mënyrës së si është kryer aksioni.

Në emër të GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se dikush u bë shkaktar në Kosovë që vendi ynë të renditet në mesin e atyre pak vendeve që shkelin konventat ndërkombëtare.

Ai tha se me deportimin e gjashtë shtetasve turq është shkelur Kushtetua e Kosovës dhe se lidhur me këtë dikush nga krerët shtetërorë po gënjen.

"Ai që nuk po tregon të vërtetën është presidenti Thaçi. Ai dhe Erdogani kanë ndërtuar një raport joligjor me njëri-tjetrin që mbështeten mbi konceptin e favorit ndaj njëri-tjetrit", theksoi Konjufca.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se deri te një aksion i tillë ka ardhur për shkak se vartësit institucionalë nuk po i informojnë më kohë eprorët e tyre për veprimet që priten të ndërmerren.

Rasti i kidnapimit të gjashtë shtetasve turq, shtoi Isufi, e ka tronditur opinionin e Kosovës, por edhe më gjerë, ngase, sipas tij, kemi të bëjmë me një veprim antiligjor dhe antikushtetues.

Ai shtoi se ky rast duhet të jetë paralajmërim që raste të tilla mos të përsëriten dhe personat me përgjegjësi zyrtare të veprojnë sipas ligjit.

Deputeti Dardan Molliqaj, në emër të GDP-së, tha se grupi që ai përfaqëson, nuk përkrah asnjërën nga palët e përfshira në këtë rast.

Ai tha se një problem historik në Turqi, "erdoganët" dhe "gulenistët" është shndërruar në arenë përplasjesh edhe në Kosovë. Sipas tij, presidenti i Kosovës i ka shërbyer presidentit turt Erdogan, për depërtimin e këtyre shtetasve, duke u thirrur në një nen ku cenohet territori i Kosovës.

Në emër të Nismës Socialdemokrate, kryetari i grupit, Bilall Sherifi, deklaroi se deportimi i gjashtë shtetasve turq në Turqi ishte një aksion i fshehtë për të cilin duhet të japin përgjegjësi personat e përfshirë.

"Këtu nuk kemi të bëjmë me depërtim, por me rrëmbim. Kjo shkel rrënjësisht të drejtat e njeriut. Iu rikujtojmë deklaratat e familjarëve që ata mbanin shpresë që të afërmit e tyre janë në burgjet e Kosovës", theksoi Sherifi.

Qëndrimin e Grupit Parlamentar të Listës serbe e paraqiti anëtari i këtij grupi, deputeti Sllavko Simiq.

Anëtari i Grupit 6+, deputeti Fikrim Damka, ndërkaq, e quajti hap pozitiv arrestimin e gjashtë shtetasve turq në Republikën e Kosovës. Sipas tij, ata janë paraqitur si mësimdhënies, por kanë bërë veprimtari të rrezikshme.

"Para 10 vitesh, akademikë, gazetarë, politikanë, janë dënuar nga organizata FETO. 15 korrik 2016 ka bërë tentim puqi ndaj Erdoganit. 248 qytetarë kanë humbur jetën, mbi 2000 të plagosur", theksoi deputeti Damka, duke shtuar se gjatë hulumtimeve është treguar se ishte qëllimi i rrëzimit të qeverisë dhe kthimin e Gulenit në Turqi.

Duke marrë fjalën në seancë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se edhe më parë ka pasur raste kur shtetas të huaj pa vendim të gjykatës janë deportuar nga territori i Kosovës.

"Sa i përket depërtimeve, dua t'ju informoj se në 2017-ën janë deportuar 344 persona. Për këta persona nuk është pyetur as Presidenti as Kryeminstri, sepse është përgjegjësi e Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pra, duhet ta bëjmë dallimin midis deportimit dhe ekstradimit", theksoi Tahiri. Ai sqaroi edhe arsyen se pse deportimi u bë me aeroplan privat për në Turqi.

"Çdo dëbim apo transferim bëhet në bashkëpunim mes dy vendeve. Ne nuk kemi mundësi që të organizojmë ekstradime me aeroplanë privatë dhe policët bëjnë përcjelljen në linjë ajrore publike", theksoi ai.

Seanca vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë të Kuvendit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët paraqitën pikëpamjet përkitazi me rastin për të cilin po debatohej.

Pas shterjes së debati, Avdullah Hoti paraqiti rekomandimet, të harmonizuara midis grupeve parlamentare.

Sipas rekomandimeve, parashihet krijimi i një komisioni hetimor parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më 26 mars 2018, ndërsa nga grupet parlamentare kërkohet që brenda tre ditëve të dërgojnë në Kryesi emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision.

Në funksion të ndriçimit të plotë të kësaj çështjeje, Kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që të lidhur me çështjen në fjalë, t'u përgjigjen kërkesave të komisionit hetimor. Sipas rekomandimit të katërt, Kuvendi mandaton komisionin hetimor të shqyrtojë përputhshmërinë e procedurave të ndjekura lidhur me këtë rast, me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Me shumicë votash, Kuvendi miratoi rekomandimet e paraqitura.

 

 

Kuvendi debatoi lidhur me deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve të TurqisëKuvendi debatoi lidhur me deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve të TurqisëKuvendi debatoi lidhur me deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve të Turqisë