Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik... mbajti dëgjim publik për Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit
E Mërkure, 04.04.2018
Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës ligjore lidhur me mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal i Kuvendit të Kosovës, mbajti sot dëgjim publik, në të cilin u diskutua për Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, i cili gjendet në fazën e amendamentimit në këtë komision.
Përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e konsumatorëve e të produkteve vendore, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore e anëtarë të komisionit, të pranishëm në këtë dëgjim publik, diskutuan gjerësisht rreth përmbajtjes së këtij projektligji, duke dhënë, njëkohësisht vërejtje e sugjerime rreth neneve të caktuara të tij.
Fillimisht, kryesuesja e këtij dëgjimi publik, njëherësh anëtare e komisionit dhe kryesuese e grupit punues për amendamentimin e këtij projektligji, Mimoza Kusari-Lila, theksoi rëndësinë e këtij dëgjimi publik dhe të propozimeve të të pranishmëve, në funksion të përmirësimit të projektligjit dhe rregullimit sa më të mirë të kësaj fushëveprimtarie.
Në vazhdim, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit, paraqitën vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, duke e vlerësuar ligjin të një rëndësie të veçantë për qytetarët, i cili, si i tillë, siç thanë ata, duhet të jetë në mbrojtje të tyre.
Diskutuesit u ndalën në aspekte të ndryshme përmbajtësore të projektligjit dhe dhanë propozime konkrete në shumë nene të tij, të cilat, sipas tyre, eliminojnë disa defekte të draftit të parë dhe kontribuojnë në hartimin e një projektligji sa më përmbajtësor.
Drejtuesja e këtij dëgjimi publik, Kusari-Lila, duke e konsideruar të frytshëm këtë dëgjim publik, tha se propozimet e vlefshme do të merren parasysh nga komisioni dhe do të inkorporohen në projektligj gjatë amendamentimit të tij.