Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi...

E Mërkure, 04.04.2018




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, mbajti sot mbledhjen e radhës, të udhëhequr nga Besa Baftiu, kryetare. Në këtë takim i ftuar ishte ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, për të raportuar lidhur me rekomandimet e Raportit të Auditimit të përformancës për efikasitetin në implementimin e sistemit informativ unik të integruar shëndetësor, si dhe procesin e revidimit të listës esenciale të barnave.

Ministri Uran Ismili, gjatë fjalës së tij lidhur me temën në fjalë, tha se është duke u punuar që shtatë vite në këtë projekt, i cili, sipas tij, ka hasur në pengesa të shumta. Ai tha se prej marrjes së detyrës së ministrit, ky projekt ka marrë më shumë kohë, meqë sipas tij, është dashur të qartësohen një varg çështjesh në mënyrë që të vazhdohet tutje. Projekti, pohoi Ismaili, ka shumë rekomandime e të cilat janë të ndara në disa grupime, siç janë: burimet njerëzore, ndërlidhja e funksionimit të komiteteve të caktuara, mungesa e buxhetit, trajnimeve profesionale etj.

Ndërkaq, lidhur me mos adresimin e shpejtë të rekomandimeve të Raportit të Auditorit, ai konsideroi se projekti ka rëndësi të veçantë dhe duhet të jetë i kompletuar kushdo që e udhëheq atë. Sipas ministrit, meqë në këtë projekt ka edhe donatorë të involvuar të cilët kanë investuar miliona euro, konsultimi me ta ka qenë i nevojshëm.

Anëtarët e komisionit, shtruan pyetje dhe ngritën shqetësimet e tyre lidhur me një varg sfidash dhe zhvillimesh që shoqërojnë sektorin e shëndetësisë, duke kërkuar hapa të shpejtë, në funksion të ofrimit sa më të shpejtë të shërbimeve mjekësore për qytetarët.

Minstri Ismaili u përgjigj në të gjitha pyetjet dhe shqetësimet që ngritën anëtarët e komisionit, duke dhënë sqarimet përkatëse.

Në pikën e dytë të rëndit të ditës lidhur me revidimin e listës esenciale të barërave, ministri Isamili tha se fillimisht është konsultuar me përfaqësues të OBSH-së, në mënyrë që të sillen ekspertë të paanshëm, për ta hartuar një listë esenciale, si dhe një udhëzim administrativ që përcakton çmimoren dhe mënyrën e blerjes.

Deputetet edhe në këtë temë shtruan pyetje dhe adresuan kërkesa, për të cilat ministri u përgjigj, duke u zotuar se për çdo gjë do të jetë transparent dhe bashkëpunues me Komisionin dhe gjithë akterët e tjerë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi...Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi...Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi...