Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Marte, 03.04.2018




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, i drejtuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijës dhe Teknologjisë.

Në këtë takim morën pjesë: ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përfaqësues të Ministrisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, të Institutit Albanologjik, Qendrës Kosovare për Inovacion etj.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi, gjatë fjalës së tij tha se ky projektligj ka një rëndësi dhe peshë të madhe jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe për shumë institucione tjera që ndërlidhen me bazën e këtij ligji. Sipas tij, ky ligj do ta forcojë në mënyre institucionale organizimin e hulumtimeve të ndryshme, të cilat lidhen me inovacion.

Ai pohoi se tanimë jemi në një kohë të një standardi të ri, kur inovacioni , transferi dhe dija janë pjesa më e rëndësishme për të rinjtë, të cilët, siç tha ai, mund të zhvillojnë hulumtime, gjë e cila ka munguar në shumë universitete. Me realizimin e këtij projektligji, shtoi ministri, do t'i ofrohen mundësi institucioneve tona që të japin kontributin e tyre shkencor dhe më këtë rast do të përfitojnë edhe të rinjtë tanë, duke aplikuar në projekte te ndryshme.

Në vazhdim të debatit fjalën e mori këshilltarja e Ministrisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Vanesa Rexhepi, tha se ky projektligj e qartëson bashkëpunimin dhe përgjegjësitë që bien në fusheveprimtarinë e MASHT-it dhe të Ministrisë së Inovacionit. Ajo bëri me dije se do të ketë projekte të shumta në ndërtimin e shumë objekteve, si dhe ofrimin e mundësive të shumta për studentë dhe praktikantë, për t'u inkuadruar në këtë fazë të re, me ide dhe inovacione.

Arianit Zabërxha, përfaqësues i kompanisë FORMON, theksoi nevojën e fokusimit tek procesi i produktit, i cili, sipas tij, drejtpërdrejt lidhet me nenin 4, që ka të bëjë me bartësit e inovacionit shkencor. Në këtë nen, sipas tij, mungon laboratori para fabrikues i cili, siç theksoi ai, do duhej të ishte në fakultetet publike. Po ashtu, Zaberxha kërkoi të ndryshohet edhe neni 6 i projektligjit.

Ndërkaq, përfaqësuesi e AVUK Austriak, Aqim Emurli, tha se ky projektligj është i mirëpritur, duke e vlerësuar atë të një rëndësie të madhe.

Përfaqësuesi i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, vuri në pah nenin 4 lidhur me bartësit e Inovacionit shkencor dhe propozoi që universitet të cilat kanë potencial, të jenë bartësit kryesorë, në mënyrë që të ketë rezultate më të mëdha.

Të pranishmit, të cilët i kontribuuan këtij debati, u dakorduan që propozimet dhe vërejtjet e tyre t'i dërgojnë më shkrim në Komision.

Në fund të takimit, në emër të komisionit kryetari Kurteshi i falënderoi të gjithë të pranishmit pjesëmarrës të këtij dëgjimi, si dhe të gjithë diskutuesit për kontributin e tyre.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...