Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Enjte, 29.03.2018




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, ka shqyrtuar tetë projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale.

Mbështetjen e komisionit për procedim të mëtejmë në Kuvend e morën: Projektligji për Azil, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Huajt, Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, Projektligji për metrologji Projektligji për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, si dhe Projektligji mbi mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, me amendamentet e propozuara nga komisionet funksionale.

Komisioni pas diskutimeve përkrahu edhe Projektligjin nr. 06/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-034. Komisioni nuk përkrahu amendamentin e deputetes Albulena Haxhiu, për të shtuar një nen të ri në këtë projektligj "për kryerjen e përgjegjësive të tyre, çdo prokuror duhet të ketë nga një bashkëpunëtor profesional". Ndonëse të gjithë anëtarët e komisionit në parim shprehën miratim për këtë propozim, ata shtuan se duhet bërë një analizë buxhetore më e hollësishme.

Komisioni po ashtu përkrahu Projektligjin nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Komisioni nuk i dha mbështetje amendamentit të propozuar nga GP i Vetëvendosjes, lidhur me nenin 12 të Projektligjit. Në nenin 12, pas paragrafit 2, shtohet paragraf i ri 3 me përmbajtjen si vijim: "Zyrtari i lartë nuk mund të ushtrojë më shumë se një funksion në sektorin publik, përveç rasteve kur është i caktuar sipas detyrës zyrtare"

 

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...