Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Enjte, 29.03.2018




Takimi i fundit i delegacionit kosovar dhe atij serb për bisedime, ka përfunduar pa marrëveshje konkrete. Kështu bëri të ditur Avni Arifi, shef i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare e komisionit.

Gjatë raportimit, shefi i delegacionit kosovar për bisedime Arifi, bëri të ditur se delegacioni ynë ka shkuar i përgatitur që gjatë takimit të shqyrtohen modalitetet për jetësimin e marrëveshjeve të arritura, por, tha ai, delegacioni serb, nuk ka shfaqur vullnetin për një gjë të tillë.

Në vijim, Arifi njoftoi anëtarët e komisionit se delegacioni ynë ka qenë i fokusuar dhe ka kërkuar që në këtë takim të diskutohet për realizimin e marrëveshjes për energjinë dhe atë për lëvizjen e lirë, por, përkundër kësaj, u shpreh ai, delegacioni serb ka injoruar këtë gatishmëri, madje edhe duke ofruar kundërpropozim lidhur me marrëveshjen për energjinë.

Sipas Arifit, shkak i sjelljes së tillë nga ana e delegacionit serb është mos themelimi i Asociacionit të komunave serbe, gjë që sipas Arifit, është obligim i yni, por, nënvizoi ai, duhet që ky Asociacion të formohet në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë raportimit të tij, shefi i delegacionit kosovar për bisedime Arifi, u pajtua me qëndrimin e anëtarëve të Komisionit se, duhet të kujdesemi që faktori ndërkombëtar të mos krijojë bindjen se Kosova është duke penguar zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Lidhur me këtë, Arifi tha se, duhet të organizojmë më shumë fushata informuese dhe një lobim më efikas për të treguar që Kosova nuk po e pengon zbatimin e marrëveshjeve, por se, Qeveria serbe është duke e bërë një gjë të tillë. Pas kësaj, ai u është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të anëtarëve të komisionit, të cilët me këtë rast edhe shfaqën opinionet e tyre lidhur me dialogun.

Shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, edhe me këtë rast, i ftoi anëtarët e komisionit që të jenë pjesë e delegacionit që ai udhëheqë, sepse sipas tij, kjo do të ndikonte në fuqizimin e delegacionit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme