Lajmet e fundit
Nga vizita e kryetares së Komisionit për Zhvillim Ekonomik Sala Berisha – Shala, dhe deputetes Mimoza Kusari – Lila, në KOSTT
E Enjte, 22.03.2018
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën organizim të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), realizoi sot një vizitë në kompaninë publike KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës).
Në këtë vizitë morën pjesë kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha - Shala dhe anëtarja e komisionit Mimoza Kusari - Lila, të cilat takuan kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala, si dhe përfaqësues të Bordit dhe menaxhmentit. Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi i anëtarëve të Komisionit lidhur me zbatimin e marrëveshjes për energji të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe çështjen e faturimit të energjisë së pjesës veriore të Kosovës. Deputetët kërkuan nga përfaqësuesit e KOSTT-it, informacione lidhur me progresin në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe humbjet e shtetit të Kosovës nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Përfaqësuesit e KOSTT-it, informuan deputetet se deri më tani Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji. Arsyeja e moszbatimit të marrëveshjes kanë theksuar ata, është mos regjistrimi i kompanisë "Elektro Server", në Kosovë, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.
Ata kanë njoftuar se janë raportuar vonesat tek përfaqësuesit e BE-së, të cilëve u kanë kërkuar që të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjes.
Sipas përfaqësuesve të KOSTT-it, moszbatimi i kësaj marrëveshje po i shkakton humbje të mëdha financiare Kosovës dhe KOSTT-it në veçanti.
Vetëm gjatë vitit 2017, sqaruan ata, KOSTT-i ka shënuar humbje disa milionëshe, kurse nga viti 2008 deri në vitin 2017, Serbia llogaritet që ka përfituar deri në 52 milionë euro nga shfrytëzimi i linjave të interkoneksionit të Kosovës.
Përfaqësuesit e KOSTT-it kërkuan nga deputetet që të ngrisin këtë çështje në Kuvend dhe të kërkojnë nga Qeveria që të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje të qëndrueshme. Po ashtu, ata njoftuan që në bisedime me Serbinë, çdo herë marrin pjesë sa i përket bisedimeve teknike dhe nuk qëndron fakti që ato po zhvillohen vetëm nga përfaqsues politik.
Deputetet u zotuan se do të adresojnë sa më shpejtë këto çështje dhe do të kërkohet që çështja në fjalë të trajtohet me prioritet nga institucionet relevante.