Lajmet e fundit
Nga takimi i kryeparlamentarit Kadri Veseli, me kryetarët e komisioneve
E Enjte, 22.03.2018
Në takimin e sotëm me kryetarët e komisioneve, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kërkoi angazhim më të madh për procedimin e projektligjeve.
Me këtë rast ai ua përkujtoi kryetarëve të komisioneve se një mori projektligjesh nuk iu kanë nënshtruar akoma leximit të parë në Kuvend, ndërkaq numri i atyre që do të kalojnë në dëgjimin e dytë është akoma i madh.
Në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare janë 39 projektligje, tha kreu i Kuvendit Veseli. Më tej, kryeparlamentari qartësoi se 7 projektligje (prej tyre 3 marrëveshje ndërkombëtare), janë në procedurën e shqyrtimit në seancë plenare, 2 projektligje të gatshme për shqyrtim të dytë në seancë plenare, 29 projektligje janë të miratuara në parim dhe gjenden në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare, 10 projektligje, për mendim në Qeveri, të cilat pritet të procedohen nga Kryesia e Kuvendit.
Duke kërkuar angazhim dhe iniciativë më të madhe nga përgjegjësit e Komisioneve, kreu i Kuvendit, po ashtu bëri të ditur se 9 projektligje, (P/L për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, P/L mbi Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, P/L për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit i ndryshuar dhe plotës. me ligjin nr. 05/L-034, P/L për azil, P/L mbi Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore, P/L për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, P/L për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-219 për të huajt, P/L për metrologji, si dhe P/L P/L për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit), të cilat i përkasin agjendës së integrimeve evropiane, duhet të procedohen në seancë plenare deri më 31 mars.
Kryetarët e komisioneve pasi raportuan për gjendjen e projektligjeve në procedurat e shqyrtimit të tyre thanë se shumica nga projektligjet do të procedohen në harmoni me afatin e paraparë sipas Rregullores së Kuvendit.
Ata po ashtu u zotuan për një efikasitet edhe më të shtuar lidhur me projektligjet që kanë të bëjnë me agjendën e integrimeve.