Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet

E Mërkure, 14.03.2018




Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi tri projektligje, si dhe rekomandimet e grupit punues lidhur me pagat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Rekomandimet e grupit punues për pagat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, para komisionit i paraqiti deputeti Naser Osmani.

Me këtë rast, ai vuri në pah se rekomandimet e propozuara nga grupi punues janë të bazuara në praktikat e institucioneve të tjera, siç është BQK-ja, ndërkaq, njoftoi se, propozimi përfshinë zbritjen e pagave për punonjësit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, në kuotën prej 25%, si dhe heqjen e mëditjeve për pjesëmarrje në mbledhjen e Bordit.

Anëtarët e komisionit e përkrahën këtë rekomandim, dhe vijuan më pas me shqyrtimin dhe përkrahjen e tri projektligjeve: Projektligjin nr. 06/L-021 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Projektligjin nr. 06/L-021 për Pajisjet nën Presion dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, si dhe Raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin nr.06/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe me Ligjin nr. 05/L-080.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe Kornizën afatmesme të shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2019-2021.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet