Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Premte, 09.03.2018




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i raportit të auditimit për PVF-të e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për vitin e përfunduar, me 31 dhjetor 2016. Mirëpo, në mungesë të ministrit të MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, Komisioni vendosi që sërish ta ftojë atë për raportim në Komision.

Në vijim, Komisioni shqyrtoi edhe raportin e auditimit për PVF-të e Universitetit të Prishtinës (UP-së) për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016. Pas një diskutimi dhe paraqitje të të gjeturave të auditorit nga raportuesi z. Andin Hoti, arsyetimin e të gjeturave nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komisioni vendosi që këtë raport të mos e adresojë për seancë plenare. Mirëpo, ata u dakorduan që disa rekomandime të adresohen tek UP-ja, për të obliguar Rektorin e UP-së të përgatitë planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit si dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike.

Krejtësisht në fund, në çështje të ndryshme u diskutua për Projektligjin Nr. 06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim. Pas diskutimeve të bëra nga anëtarët e Komisionit dhe të pranishmit të tjerë, projektligji u aprovua në parim dhe u adresua për në Seancë Plenare për shqyrtim në lexim të parë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike