Lajmet e fundit

Komisioni për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 07.03.2018




Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale,
zhvilloi një takim me Bordin dhe drejtorin e SHSKUK-së, si dhe shqyrtimin e raportit të performancës për Efikasitetin dhe Efektivitetin në Implementimin e Sistemit Informativ unik të Integruar Shëndetësor.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, dha një informacion të hollësishëm lidhur me gjendjen aktuale dhe problematikën e shëndetësisë. Ai theksoi se po shfaqen efektet e para për përmirësimin e situatës duke pasur parasysh ndryshimet në sektorin e emergjencës etj.

Deputetët, shumica prej kohësh anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, duke e njohur mirë gjendjen dhe problematikën në shëndetësi, bënë pyetje të hollësishme, që nga menaxhimi, ndryshimi dhe funksionalizimi sa më i plotë i hapësirave për një bashkëpunim më të mirë të sektorëve, kryesisht sallat e emergjencës, kirurgjisë, kirurgjisë vaskulare, deri te mungesa e barnave dhe mjeteve të domosdoshme.

Deputetë u ndalën edhe në probleme të tilla, si rregullimi i pagesave sipas nivelizimit të gradave, pasi, siç u tha, ka kontradikta të mëdha në pagesa. Sipas tyre, për të njëjtin nivel paguhen ndryshe (në Prizren me 7.2, në Prishtinë me 6.2 dhe në Mitrovicë me 5.4) e deri tek disiplina, pasi ka punonjës mjekësorë që paguhen pa ardhur fare në punë.

Në përfundim, drejtuesit e SHSKUK-së theksuan se kemi humbur miliona euro dhe vite të tëra për të kuptuar prioritetet e zhvillimit të mjekësisë dhe u kërkuan anëtarëve të komisionit një bashkëpunim më të ngushte dhe më të shpeshtë.

 

 

Komisioni për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale