Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 07.03.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi dy projektligje dhe buxhetet për dy komuna.
Kështu, komisioni shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq, të cilin para deputetëve e prezantoi dhe argumentoi ministri i Financave, Bedri Hamza.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, marrëveshjen e vlerësuan të favorshme dhe të njëjtën e përkrahën, duke i rekomanduar Kuvendin ratifikimin e saj.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi Buxhetin e Komunës së Suharekës dhe asaj të
Kamenicës, për vitin 2018, të miratuara në kuvendet komunale përkatëse, në pajtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.
Komisioni rekomandoi që buxhetet të pasqyrohen në tabelat buxhetore të buxhetit të Kosovës për vitin 2018.
Në mbledhjen e sotme, u shqyrtua edhe Projektligji për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe amendamenteve të komisionit funksional.
Komisioni vlerësoi se projektligji përmban kosto të përballueshme dhe rekomandoi që të procedohet për shqyrtim të mëtutjeshëm.