Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 06.03.2018
Shqyrtimi i Raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015 dhe 2016, ishte temë qendrore në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, të kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), përkatësisht drejtori i Njësisë së monitorimit të ndërmarrjeve publike, në këtë ministri, Shyqeri Musliu me bashkëpunëtorë.
Duke paraqitur raportin, përfaqësuesit e kësaj ministrie vunë në dukje performancën negative të ndërmarrjeve, të monitoruara prej tyre.
Me këtë rast, analisti në Njësinë e monitorimeve të ndërmarrjeve publike Adem Ahmetaj tha :" Nuk mund të themi se performanca e ndërmarrjeve publike është e kënaqshme. Nga 16 ndërmarrje publike, 6 kompani kanë shënuar rritje në fitim, ndërkaq, 10 kanë operuar me humbje". Ai më tej shtoi se gjatë hartimit të raportit, kjo njësi është fokusuar në tri çështje kryesore: perfomancën operative, performancen financiare, si dhe qeverisjen korporative.
Duke folur për sektorë të ndryshëm ekonomik, Ahmetaj nënvizoi se derisa Telekomi i Kosovës, ka përmbyllur bilancet ekonomike me kosto të lartë humbjeje, sektori energjetik, respektivisht KEK-u ka shënuar rritje të kogjenerimit të energjisë për 4%".
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit kanë ngritur shumë shqetësime dhe kanë adresuar shumë pyetje, të cilave u janë përgjigjur përfaqësuesit e ministrisë.
Pas kësaj, Komisioni mori vendim që ky Raport të procedohet tutje, por, u kërkua që atij t'i bashkëngjiten edhe vlerësimet e Auditorit të Jashtëm për ndërmarrjet publike, ndërkaq, komisionit t'i dërgohen raportet tre mujore nga Njësia e monitorimit të ndërmarrjeve publike.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu, edhe raportin me amendamente të Projektligjit për Pajisjet nën Presion, si dhe ka formuar grupet punuese për shqyrtimin e projektligjeve.