Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 05.03.2018
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, shqyrtoi kërkesat për mbajtjen e dy seancave gjatë kësaj jave.
Konform kërkesës së deputetëve Avdullah Hoti dhe Arbërie Nagavci, të mbështetur edhe nga 38 deputetë të tjerë nënshkrues, Kryesia vendosi që seanca e jashtëzakonshme, në të cilën pritet të debatohet lidhur me "Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të cilësisë për Arsimin e lartë për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga ky organizëm, të datës 27 shkurt 2018", të mbahet të mërkurën, më 7 mars, në orën 11:00.
Një ditë më vonë, më 8 mars, në orën 10:00, me kërkesë të deputetes Albulena Haxhiu, mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e mbështetur edhe nga tetë deputetë nënshkrues, Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë, për të debatuar lidhur me dhunën në familje dhe adresimin institucional.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.