Lajmet e fundit

Veseli: Nesër duhet të kemi një lajm të mirë për qytetarët

E Marte, 27.02.2018




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë- Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, të cilën diskutoi për zhvillimet politike në vend, agjendën evropiane të Kosovës dhe hapat që Kosova duhet të ndërmarrë në këtë proces, me theks të veçantë, çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila do të jetë serish nesër për diskutim në Kuvend.

Kryeparlamentari Veseli tha se populli i Kosovës në histori ka humbur shumë raste dhe nuk do të lejojë të humb raste të reja. Ai tha se Kosova është e përkushtuar plotësisht në përcaktimin e saj euro-atlantik dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të.

Veseli shtoi se Kosova do të vazhdojë angazhimet e saj për përmbushjen e të gjitha kritereve që i janë përcaktuar nga Bashkimi Evropian.

"Liberalizimi duhet të ndodhë dhe ratifikimi i marrëveshjes do të votohet. Kosova dhe qytetarët e vet kanë nevojë për një lajm të mirë dhe ne do ta sjellim këtë lajm nesër. Ratifikimi jep sinjal të qartë për perspektivën drejt BE-së dhe presim nga BE-ja të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë euro-integrues", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se është bërë shumë për të arritur konsensusin dhe kërkoi nga i gjithë spektri politik që nesër të jetë bashkë, në forcimin e sovranitetit dhe ecjen e vendit përpara.

"Nesër duhet të kemi një lajm të mirë. Besoj dhe në reflektimin e kolegëve që ende nuk e kanë marrë këtë vendim. Jemi para një dite që do t'i hapë perspektivë Kosovës", tha kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.


Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se në javët e fundit ka pasur hapa të rëndësishëm për Kosovën për kalimin e demarkacionit, të cilat, siç tha ajo, janë vlerësuar shumë.

"Dua të them që jemi afër që ta zgjedhim këtë çështje, andaj besoj se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend duhet të bëhet nesër, sepse do të jetë hap i rëndësishëm në rrugën e liberalizimit. Kosova duhet të vazhdojë ende luftën kundër korrupsionit. Duhen përpjekje, por ratifikimi na afron te liberalizimi i vizave", theksoi Apostolova.

Ajo shtoi se deputetët duhet të mendojnë për qytetarët e tyre, sepse liberalizimi, sipas saj, hap mundësi për studentët, punëtorët, për hapjen e vendeve të punës.

"Pra, dëshirojmë që me liberalizimin Kosova të jetë vend më i mirë për rininë. Mos e humbisni rastin. Iu lutem na ndihmoni neve, që ne t'ju ndihmojmë juve", theksoi Nataliya Apostolova.

 

Veseli: Nesër duhet të kemi një lajm të mirë për qytetarëtVeseli: Nesër duhet të kemi një lajm të mirë për qytetarët