Lajmet e fundit

Delegacioni i Komisionit për Integrime Evropiane po merr pjesë në Konferencën e 13-të e Komisioneve për Integrime/Çështje Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore – COSAP

E Hënë, 26.02.2018




Delegacioni i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është duke marrë pjesë në Konferencën e 13-të të Komisioneve për Integrime/Çështje Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore - COSAP, që po mbahet në Shkup.

Delegacioni i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës është i përbërë nga deputetët: Blerta Deliu Kodra- kryetare e Komisionit, Armend Zemaj-zëvendëskryetar i Komisionit dhe Fikrim Damka - zëvendëskryetar i Komisionit. Me këtë rast, përfaqësuesit e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës para fillimit të konferencës kanë pasur takime me z. Artan Grubi, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Maqedonisë, raportuesin për Kosovën ne Parlamentit Evropian, z. Igor Soltes si dhe pjesëmarrës tjerë, deputetë të Parlamentit Evropian, pjesëmarrës në këtë konferencë dhe delegacionet tjera të Kuvendeve të shteteve të rajonit.

Blerta Deliu Kodra, Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në fjalimin e saj në këtë konferencë duke folur për rëndësinë e Strategjisë për Zgjerim, ndër të tjera ka thënë se duke pasur parasysh qëllimin përfundimtar të vendeve tona për integrim dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, dokumenti i Komisionit
Evropian, Perspektiva kredibile e zgjerimit dhe angazhimi i shtuar i BE-së me Ballkanin Perëndimor paraqet një riafirmim të së ardhmes evropiane për vendet tona të Ballkanit Perëndimor. Deliu ka theksuar se dokumentin e lartëpërmendur do të duhet ta konsideronim jo vetëm riafirmim, por si udhërrëfyes dhe motivim për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta, për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Ndërsa, Armend Zemaj-zëvendëskryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, foli në sesionin e dytë për sundimin e ligjit, për reformat e ndërmarra institucionale në drejtësi dhe ndryshimet në kuadrin ligjor. Ai theksoi se sundimi i ligjit, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon fillimisht vullnet politik, reforma në infrastrukturën ligjore dhe administrative, si dhe përkushtim maksimal institucional. "Jemi të përkushtuar si përfaqësues politik, institucione dhe si shoqëri që dukuritë negative t'i luftojmë me qëllim të sigurimit të sundimit të rendit dhe ligjit për një jetë më të dinjitetshme, për një Kosovë të zhvilluar dhe demokratik. Jemi të përkushtuar në respektimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe kushtetutë si dhe për të siguruar perspektivë evropiane qytetarëve të Republikës së Kosovës", ka thënë z.Zemaj.

Me këtë rast, edhe Fikrim Damka ka diskutuar për avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Republikën e Kosovës duke shprehur përkushtimin e Institucioneve te Kosovës, në përafrimin e vlerave të përbashkëta evropiane.