Lajmet e fundit

Veseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-së

E Mërkure, 21.02.2018




Sot në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar ceremonia e përmbylljes zyrtare të projektit të binjakëzimit "Përkrahja e mëtejme për Kuvendin e Kosovës", projekt ky i financuar nga BE-ja, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa i implementuar nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë.

Ceremoninë e drejtoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili në fjalën e tij bëri një elaborim të të gjithë projektit dhe shpalosi efekteve mjaft pozitive të tij në ngritjen e kapaciteteve të Kuvendit.

"Ky projekt i binjakëzimit kishte mision strategjik të ndihmojë në ndërtimin e një parlamenti funksional në Kosovë, si dhe ngritjen e strukturave dhe të procedurave të nevojshme për një proces të suksesshëm të integrimit në BE, me vëmendje të veçantë në Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim (MSA)", theksoi sekretari Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ditën e sotme e konsideroi të veçantë për Kuvendin e Kosovës, pasi që, sipas tij, pas një pune intensive dyvjeçare, po përmbyllet me sukses ky projekt, nëpërmjet të cilit Kuvendi i Kosovës ka hedhur një hap të rëndësishëm në fushën e reformave institucionale e ligjore, në funksion të procesit të integrimit evropian të vendit tonë.

"Falënderojmë Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti dhe Parlamentin e Hungarisë për implementimin e tij. Të gjitha fushat, në të cilat është zbatuar ky projekt, janë të rëndësisë vendimtare për avancimin e këtij procesi", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e vizionit të qytetarëve të saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Veseli paralajmëroi se shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do të përmbyllë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa shtoi se pret që edhe Bashkimi Evropian t'u përmbahet zotimeve të tij për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

"Qytetarët e Kosovës nuk janë as më shumë e as më pak evropianë se qytetarët e vendeve tjera të rajonit që tani gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen", thekso Veseli.

Nënkryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Istvan Jakab, nga ana e tij, theksoi se për Hungarinë është kënaqësi ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

"Unë mendoj që njëjtë sikurse dy projektet e mëhershme, janë arritur rezultate pozitive. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me ju, sepse kemi ndjekur linjën e detyrave. Qëllimi ynë ka qenë që ta dizajnojmë një zgjedhje që i përshtatet nevojave të Kosovës dhe kjo më së miri dëshmohet nga plani i veprimit", theksoi Jakap.

Ai shtoi se Kosova duhet të tregojë se është vend që mund t'i besohet.

"Çështjet që kanë mbetur të hapura duhet të zgjidhen dhe kjo është e vetmja mënyrë se si ju mund të integroheni në Evropë", theksoi nënkryetari i Kuvendit hungarez.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se strategjia e Bashkimit Evropian, e publikuar në shkurt, cek prioritetet, rrugën që duhet ta kalojnë vendet që aspirojnë integrimin dhe reformat e nevojshme. Në këtë aspekt, ajo tha se barra kryesore do t'i bie Kuvendit, i cili, sipas saj, duhet të ndërtojë konsensus ndërmjet partive politike.

"Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kuvendin e Kosovës dhe do të vëzhgojmë zbatimin e rekomandimeve", theksoi Apostolova.

Po ashtu, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe Zoltan Horvath, Drejtues i Ekipit të Asistencës Teknike të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë.

Para kësaj ceremonie, nënkryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Istvan Jakab, u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

 

Veseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-sëVeseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-sëVeseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-sëVeseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-sëVeseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-sëVeseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-sëVeseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-së