Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Mërkure, 21.02.2018




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, (një pjesë u kryesua nga zv/kryetari i parë Rexhep Selimi), u shqyrtuan dhe u përkrahën raportet me rekomandime për Projektligjin nr.06/L-014 për Infrastrukturë Kritike, si dhe për Projektligjin nr.06/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214. Këto raporte për projektligjet përkatëse do të procedohen për seancë plenare të Kuvendit për shqyrtim në lexim të dytë.

Në pjesën e dytë të takimit para komisionit ka raportuar ministri i Brendshëm z. Flamur Sefaj. Raportimi ishte kërkuar nga Komisioni dhe kishte të bënte me zhvillimet në Inspektoratin Policor të Kosovës. Me këtë rast, ministri ka njoftuar Komisionin lidhur me këto zhvillime që lidhen me shkelje të procedurave të rekrutimit të personelit në këtë institucion dhe theksoi se këto do të trajtohen konform dispozitave ligjore.

Anëtarët e Komisionit në diskutimet e tyre kanë kërkuar marrjen e veprimeve të duhura ligjore që Inspektorati Policor të funksionojë dhe të kryejë mandatin e tij sipas legjislacionit në fuqi.

Krejtësisht në fund Komisioni ka formuar grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Inspektoratin Policor. Ky grup do të përgatisë të gjeturat dhe rekomandimet nga ky proces dhe pastaj do të shqyrtohen në Komision.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së