Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Mërkure, 21.02.2018
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare, shqyrtoi dhe përkrahu në parim tri projektligje: Projektligjin nr.06/L-038 për Shërbimet Postare, Projektligjin nr.06/L-037 për Metrologji dhe Projektligjin nr.06/L-041 për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit.
Gjatë shqyrtimit të këtyre projektligjeve ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), të cilët bënë të ditur se këto projektligje janë hartuar në bazë të praktikave dhe standardeve më të larta të shteteve të BE-së.
Në këtë takim, Komisioni formoi edhe grupet punuese për shqyrtimin e projektligjeve, të cilat janë miratuar në parim gjatë seancave plenare të Kuvendit.