Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Marte, 20.02.2018
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga kryetari Nait Hasani, iu proceduan Kuvendit për miratim në parim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e shkollës rajonale të Administratës Publike (RESPA), si dhe Projektligjin për Organizatat Joqeveritare.
Në komision i pranishëm ishte ministri për Administratë Publike, Mahir Yagcilar, i cili para anëtarëve të komisionit i arsyetoi këto dy projektligje. Lidhur me Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e shkollës Rajonale të Administratës Publike, ministri Yagcilar bëri të ditur se RESPA është organizatë ndërkombëtare për administratë publike e cila përkrahet nga Bashkimi Evropian. Sipas Yagcilar, në këtë organizatë janë të anëtarësuara shtetet e Ballkanit, si: Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia etj. Ndërkaq, Kosova, tha ministri, ka qenë vetëm vëzhguese e zhvillimeve në këtë organizatë, ndërsa tani edhe Kosova ka bërë kërkesë për anëtarësim në RESPA, e cila kërkesë, sipas tij, është pranuar nga bordi.
Ministri Yagcilar përmendi përfitimet që do të ketë vendi ynë nga anëtarësimi në këtë organizatë, si: trajnime profesionale për administratë, efektshmëri në transparencë, llogaridhënie etj. Ai bëri të ditur gjithashtu se anëtarësimi në këtë organizatë ka kosto prej 150 mijë eurosh në vit.
Pas diskutimit dhe pyetjeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj, duke i rekomanduar Kuvendit për shqyrtim në parim.
Në këtë takim po ashtu, u shqyrtua edhe Projektligji për OJQ-të. Pas diskutimeve, komisioni i rekomandoi Kuvendit miratimin në parim edhe të këtij projektligji.