Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Mërkure, 14.02.2018
Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulture, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, i rekomandoi Kuvendit për miratim: Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijës dhe Teknologjisë, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë te Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim ADA.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të MASHT-it, të cilët para anëtarëve të komisionit i arsyetuan këto dy projektligje të rëndësisë se madhe për Republikën e Kosovës. Sipas tyre, projektligjet i kanë kaluar të gjitha procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi.
Lidhur me Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijës dhe Teknologjisë, përfaqësuesit e MASHT-it deklaruan se duke i parë zhvillimet e gjithmbarshme evropiane dhe botërore, tek të cilat shkenca dhe hulumtimet shkencore janë vënë në krye të përpjekjeve të zhvillimit ekonomik dhe social. Përkitazi më këtë, sipas tyre edhe MASHT-i ka ndërmarrë iniciativën e hartimit të këtij projektligji. Po ashtu, u debatua edhe për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë te Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim ADA. Sipas përfaqësuesve të MASHT-it, ky projekt në përgjithësi do të kontribuojë në funksionim më të mirë të arsimit të lartë dhe hulumtimeve në Kosovë në linjë me parimet evropiane. Lidhur me këtë ata e cilësuan objektivë afatgjate në përkrahje të zhvillimit socio-ekonomik të vendit.
Anëtarët e komisionit pas një diskutimi të gjerë lidhur me përmbajtjen dhe rëndësinë e këtyre projektligjeve, i rekomanduan Kuvendit miratimin e tyre.