Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 09.02.2018
Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, deputetët përkrahën në parim këto projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Huajt, Projektligjin për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, Projektligjin për pajisjet nën presion, si dhe Projektligjin për shërbimin gjeologjik të Kosovës.
Edhe rekomandimet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me dënimin e disa aktivistëve të këtij subjekti politik, morën mbështetjen e deputetëve, si dhe rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, si dhe Raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016.
Për të gjitha këto çështje, shqyrtimi dhe diskutimi ka përfunduar gjatë mbledhjes së djeshme plenare (8 shkurt), ndërkaq në mungesë kuorumi votimi i tyre pati mbetur për ditën e sotme.
Ndërkaq, pas shqyrtimit të Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë, për vitin 2016, Kuvendi ndërpreu punimet për të vazhduar me pikat e mbetura gjatë ditës së martë, duke filluar nga ora 10:00.