Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Marte, 06.02.2018
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, të drejtuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, u shqyrtua në parim Projektligji për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.
Në këtë takim, për ta arsyetuar projektligjin, para anëtarëve të komisionit i ftuar ishte ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi.
Ministri Bytyqi, Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit e vlerësoi të rëndësie të madhe, pasi që, nëpërmjet tij, siç tha ministri, do të garantohet cilësi e lartë në arsimin para-universitar dhe atë të lartë. Ai tha se do të bëhet rritja e numrit të inspektorëve të arsimit, të cilët do të ndahen në dy kategori: inspektorët në fushën e arsimit pedagogjik dhe atë të inspektorëve administrativë.
Po ashtu, ministri, foli edhe për performancën e mësimdhënësve dhe nxënësve, e cila do të monitorohet nga Inspektorati i arsimit.
Gjatë diskutimit, anëtarët e komisionit dhanë sugjerime dhe vërejtje. U propozua që të formohet një agjencion i Inspektoratit të arsimit në Kosovë, i cili do të jetë i pavarur dhe i pandikuar politikisht. Po ashtu, u propozua që nëpër regjione të përzgjidhen inspektorë që janë ekspertë të fushës së arsimit, si dhe të bëhen vlerësime edhe nga nxënësit për mësimdhënësit e tyre.
Në fund të takimit, komisioni i rekomandoi Kuvendit miratimin e Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.