Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Premte, 02.02.2018




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu-Kodra, u diskutua lidhur me Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për Shtetet e Ballkanit Perëndimor. E ftuar në këtë takim ishte edhe ministrja e Integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha.

Përveç diskutimit mes anëtarëve të Komisionit dhe ministres Hoxha për Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për Shtetet e Ballkanit Perëndimor, pati edhe pyetje të shumta nga Komisioni për të.
Me këtë rast, Hoxha dha sqarime në detaje për çështjet që u ngritën në këtë takim, me theks të veçantë lidhur me ecurinë e Kosovës në procesin e integrimit evropian, liberalizimin e vizave dhe masat që janë ndërmarrë për reformat në institucionet e vendit, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, çështjen e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për çështjen e Gjykatës Speciale.

Ministrja Hoxha duke diskutuar lidhur me strategjine e zgjerimit të BE-së, tha se ky dokument do të publikohet më 6 shkurt, ndërkaq theksoi se Strategjia për Ballkanin Perëndimor e Komisionit Evropian është paralajmëruar në kuadër të "Deklaratës së Synimeve" që është promovuar pas paraqitjes të Presidentit të Komisionit Evropian, Z. Jean Claude Juncker në fjalimin vjetor para Parlamentit Evropian, në shtator 2017.

Ministrja Hoxha sqaroi se është e parakohshme që të komentohet përmbajtja e kësaj strategjie deri në publikimin e saj, ndërsa paraqiti edhe qëndrimet e tyre që i kanë pasur në kuadër të shkëmbimeve të rregullta me institucionet e BE-se dhe vendet anëtare. "Procesi integrues i Kosovës ka pasur një avancim progresiv viteve të fundit. Kemi siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, jemi në prag të liberalizimit të vizave, kemi siguruar qasje në Programet e BE-së dhe jemi përfituesit më të mëdhenj për kokë banori të asistencës së BE-së. Presim që Strategjia ta njoh progresin e arritur dhe të konfirmoj avancimin e procesit integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian", theksoi ministrja Hoxha.

Në vijim, ajo kërkoi nga deputetët që të nxirret një Rezolutë e përbashkët nga Kuvendi me konsensus të të gjitha partive politike, për të shprehur zotimin për të avancuar proceset e integrimit. "Duhet të bëhen reforma në drejtësi, ekonomi dhe administratë publike dhe institucionet e Kosovës. Duhet të flasim me një zë dhe të ketë një qëndrim të përbashkët - prioritet i politikave dhe ligjeve për MSA-në dhe ERA, si konsensus ndërinstitucional", tha ministrja Hoxha.

Pas shterimit të këtij diskutimi, Komisioni u dakordua që gjatë javës së ardhshme të formojnë grupin e punës bashkarisht me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, në mënyrë që të bëhet kalendari i planit të punës së përbashkët, për vitin 2018.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane