Lajmet e fundit
Kuvendi mbajti seancë të jashtëzakonshme lidhur me ndotjen e ajrit
E Mërkure, 31.01.2018
Me iniciativë të kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe nënshkrime të deputetëve të tjerë, Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me ndotjen alarmante të ajrit.
Në fjalën e tij të hapjes, kryeparlamentari Veseli tha Kuvendi nuk mund të qëndrojë indiferent kundruall një realiteti të tillë, me të cilin po përballen jo vetëm qytetarët e Prishtinës por edhe më gjerë.
Kreu i Kuvendit kërkoi bashkëpunimin e gjitha institucioneve përgjegjëse që të nisin punë konkrete të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e ajrit në Prishtinë dhe komunat tjera, ndërsa paraqiti edhe ide konkrete që ndikojnë në ngrohjen më efiçiente të shtëpive dhe ndërtesave banesore në Kosovë.
"Rangimi në krye të listave të qyteteve më të ndotura është një gjë që duhet të na alarmojë të gjithëve. Ne i kuptojmë përgjegjësitë e ndara institucionale, por kjo nuk na krijon komoditetin që ta hedhim fajin dhe përgjegjësinë andej e këndej për situatën. Është momenti për fokusim të përbashkët ndër-sektorial në marrjen e vendimeve të shpejta dhe efikase për tejkalimin e kësaj situate të rëndë për shëndetin e qytetarëve tanë", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se interesimi dhe involvimi i Kuvendit duhet të shihet si rol direkt ndikues, i domosdoshëm, në përballjen urgjente me gjendjen alarmante të ambientit në Kosovë.
"Propozoj që nga kjo seancë të dalim me rekomandime, ose rezolutë, për hapa konkretë, për të siguruar një zgjidhje afatgjate. Të krijohet buxhet i veçantë për përkrahjen e investimeve të qytetarëve dhe bizneseve, me të cilat ulen shpenzimet e jetesës dhe rritet cilësia e shëndetit, duke investuar në izolimin e shtëpive dhe ndërtesave të pa-izoluara në Kosovë. Për këtë, kemi edhe projektin amerikan të MCC-së, i cili ka ndarë 22 milionë dollarë, ndërsa konsideroj që edhe Qeveria e Kosovës duhet t'i ndajë 30 milionë euro për këtë qellim", tha Veseli. Ai po ashtu propozoi mbështetjen buxhetore për zhvillimin më të shpejtë të zgjerimit të projektit të ngrohjes përmes koogjenerimit dhe mbjelljen e drunjve në të gjitha komunat e Kosovës.
"Të ndërmerren hapa konkretë për lidhjen në gazsjellës përmes Shqipërisë, i cili krijon mundësinë e përdorimit të gazit, që do të kishte përfitime mjedisore dhe ekonomike", ka shtuar Veseli.
Deputeti Dardan Sejdiu në emër të GP të Vetëvendosjes, tha se me angazhim të sinqertë e serioz të të gjithë akterëve, mund të gjendet një zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme. Ai propozoi disa masa që, sipas tij duhet të ndërmerren për të përmirësuar ajrin.
Sipas tij, nëse nuk ndërmerren këto masa, atëherë ndotja e ajrit do të bëhet temë çdo vit. Ai tha se sipas një studimi që është bërë, me 24 milionë euro shtesë mund të dyfishohet projekti i koogjenerimit nga 140 megavat energji termike, në 280 megavat energji termike.
Po ashtu ai propozoi që të ndërtohen politika që ndihmojnë qytetarët në nevojë, për të kaluar nga ngrohja me thëngjill në alternativa të tjera ngrohjeje, të cilat nuk shkaktojnë ndotje të ajrit. Sejdiu propozoi gjithashtu rritjen e numrit të autobusëve në komunat Prishtinë, Obiliq dhe Fushë-Kosovë, e cila, sipas tij, do të ndikonte në reduktonim numrin e veturave nëpër këto komuna.
Në emër të GP të LDK-së, deputetja Besa Gaxherri, theksoi se nga raportimi i institucioneve gjegjëse gjatë ditës së djeshme u pa se asnjëri nuk ka fakte shkencore se cilët janë shkaktarët ndotës. Vendimin për ndalimin e qarkullimit në rrugët e Prishtinës ajo e cilësoi skandaloz, të padrejtë dhe joligjor.
Në emër të LDK-së ajo propozoi që ndotja nga KEK-u të sanohet duke respektuar ligjet dhe të vendosen elektrofiltrat e cilësisë së duhur, në afat kohor të duhur, si dhe të evitohet tërësisht ndotja nga ngrohja nga materie të rrezikshme, duke bërë shtrirjen e ngrohjes qendrore nga KEK-u për Prishtinën, Obiliqin, Fushë-Kosovën, Podujevën dhe Lipjanin, në afat prej dy viteve.
Nga GP i PDK-së, deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha, i ka konsideruar tragjike deklarimet e Komunës së Prishtinës që të mos bazohen në matësin e Ambasadës Amerikane.
Sipas saj, masat e përkohshme janë të domosdoshme njëjtë si edhe ato afatgjata, të cilat e mbrojnë ambientin dhe të kujdesemi që ato të zbatohen. Ajo tha se duhet menduar për neutralizimin e ndotësve dhe gjetjes së mënyrave për të dalë nga varësia e energjisë nga termocentralet. Thaçi - Dragusha tha se duhet menduar se si të zhvillohet dhe modernizohet trafiku urban dhe krijimi i parkingjeve publike.
Sipas saj, duhet të fillohet me vetëdijesimin e qytetarëve, sidomos të gjeneratave të reja rreth ruajtjes së ambientit.
Kryetari i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, e konsideroi të domosdoshme nxjerrjen e një rezolute për të përmirësuar cilësinë e ajrit, ani pse, sipas tij, aktualisht është gjysma e dimrit dhe nuk mund të marren hapa të menjëhershëm për të ndryshuar gjendjen.
Ai tha se KEK-u, shfrytëzimi i lëndëve djegëse që krijojnë ndotjen, automjetet, cilësia e derivateve etj., kanë bërë që të kemi një alarmim në këtë periudhë. Ai tha se një element që duhet të jetë prioritet edhe i qeverisë por edhe i organizatave që merren me ambientin, është shfrytëzimi i hapësirave për gjelbërim.
Bilall Sherifi, kryetar i GP të Nisma-s, vlerësoi se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e neglizhencës për vite të tëra të shenjave që kanë treguar se gjendja po shkon në përkeqësim të tillë.
Ai tha se për të arritur që në vitet e ardhshme të zbritet niveli i ndotjes së ambientit, ky sektor duhet të shndërrohet në prioritet numër një të shtetit, pa marrë parasysh dallimet partiake.
Në emër të Grupit 6+ foli deputeti Allbert Kinolli, i cili po ashtu shprehu shqetësimin e tij dhe të grupit që përfaqëson, për nivelin alarmant të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe komunat përreth.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Albena Reshitaj, duke marrë fjalën para deputetëve, tha se prioritet i ministrisë që ajo drejton është përmirësimi i cilësisë së ajrit. Reshitaj tha se kanë identifikuar 100 pika ndotëse në Prishtinë, derisa shtoi se është krijuar edhe task-forcë ndërministrore që të punojë për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ministrja foli edhe për masat emergjente të ndërmarra, të cilat, sipas saj, do të ndikojnë më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve.
Debati vijoi me diskutimet e deputetëve të tjerë të Kuvendit, të cilët theksuan nevojën e ndërmarrjes së masave të menjëhershme për uljen dhe eliminimin e kësaj ndotjeje. Lidhur me këtë, ata propozuan masa konkrete të cilat duhet t'i ndërmarrin institucionet gjegjëse.
Seanca vazhdon punimet nesër në orën 10:00.