Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës plenare
E Premte, 26.01.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, ka vazhduar punimet me pikat e mbetura nga seanca e kaluar.
Seanca filloi me interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Para deputetëve, Armend Zemaj, deputet nga radhët e LDK-së, paraqiti shqetësimin e tij, duke theksuar se skena të tilla të gjuajtjeve me armë nga ana e ministrit, janë akte kriminale të ndaluara me ligje të Kosovës. Po ashtu, ai theksoi se më këtë rast është shkelur jo vetëm ligji, por është bërë shkelje edhe e normave etike. Ai kërkoi përgjigje nga Qeveria dhe kryeministri lidhur me ato pamje të dhunshme të cilat, sipas tij, degradojnë imazhin e Kosovës dhe institucioneve. Lidhur me ketë ai, ka kërkuar dorëheqje të menjëhershme të zëvendëskryeministrit Gashi.
Shefi i GP të VV-së, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij në foltore u deklarua se numri dy i Qeverisë, Dardan Gashi, ka shkelur ligjin duke gjuajtur me armë, e më e keqja është se kjo ka ndodhur në shtëpinë e zëvendëskryeministrit tjetër, Fatmir Limaj. Ai me pas tha se kjo është një sjellje e keqe e një zyrtari të qeverisë, duke bërë shkelje të ligjit prej të dytit të Qeverisë.
Vjosa Osmani në emër të GP të LDK-së, foli për pasojat për qytetarët e pafajshëm dhe për rastet e papërgjegjshme që kanë përfunduar tragjikisht. Ajo përmendi rastet kur nga të shtënat dhe fishekzjarret kishin humbur jetën një qytetare e Pejës dhe një fëmijë nga Prizreni.
Memli Krasniqi, kryetar Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se interpelanca për gjuajtën me armë nga zëvendëskryeministri Gashi është më shumë politike, për të gjetur edhe një arsye për të sulmuar qeverinë. Po ashtu, ai pyeti nëse deputetët e LDK-së nuk kanë bërë një veprim të tillë në raste apo festa të caktuara, apo kur kanë fituar zgjedhjet në ndonjë komunë.
Nga GP i AAK-së, Ahmet Isufi paraqiti qëndrimin e tij duke thënë se kjo interpelance është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe nuk është mirë të humbet kohë për këtë çështje, kur rasti është nën hetime dhe drejtësia vepron sipas ligjeve.
Në emër të GP të NISMA-s, fjalën e mori Bilall Sherifi, i cili tha se kjo interpelancë nuk është duke trajtuar asgjë të qeverisë dhe bëri thirrje që të mos keqpërdoren fatkeqësitë e të tjerëve.
Nga Grupi 6+, Albert Kinolli vlerësoi se gjuajtja e armëve nuk është e lejuar me ligj dhe kërkoi që më rastin të merret hetuesia.
Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij deklaroi se policia ka intervistuar pesë persona për këtë lëndë, ndër ta edhe Dardan Gashin, ka konfiskuar dy revole të modifikuara për gjuajtje dhe kjo lëndë është në prokurorinë e Gjakovës, sepse është në juridiksionin e saj. Tutje ai tha se nuk është e hijshme të ekspozohet para publikut gjuajtja me armë.
Haradinaj tha se pikëpamjet e tij janë pak më tradicionale dhe se mban përgjegjësi në postin që ka. Lidhur me këtë, ai bëri thirrje që kjo interpelancë të jetë një porosi për korrigjimin e të gjithëve, si dhe mbajtjen e traditës. Ai tha se është dakord që Kosova me traditën e saj të veprojë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet. Duke komentuar kërkesën e LDK-së për shkarkim të zëvendëskryeministrit Gashi, Haradinaj tha se kërkesa për masa të tjera është hershme, për shkak se rasti është në proces ligjor.
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ndërkaq, kërkoi që të mos humbet kohë me tema të kota, por të flitet për tema të rëndësishme.
Debatit i kontribuuan deputetë të tjerë të të gjitha grupeve parlamentare të cilët shprehen shqetësimet dhe vlerësimet e tyre lidhur me rastin.
Pas shterjes së diskutimeve, kryesuesi i seancës hodhi në votim mocionin e iniciuesit të interpelancës për shkarkimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit Gashi, por propozimi nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve të pranishëm.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e projektligjeve.
Kështu, Kuvendi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin 05/L-080, si dhe Projektligjin për azil, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i brendshëm, Flamur Sefaj.
Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, u miratuan: Projektligji për standardizim dhe ai për tatimin në pronën e paluajtshme.
Kuvendi miratoi po ashtu edhe Raportin vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016, si dhe atë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Deputetët i dhanë mbështetje edhe Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026, të cilën e prezantoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Me votim të fshehtë, ndërkaq, Kuvendi zgjodhi Flamur Mrasorin anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ndërsa zëvendës të Avokatit të Popullit zgjodhi kandidatët: Majlinda Sinani, Marija Raduloviq, Mehdi Geci, Edona Hajrullahu dhe Naile Alaj.
Po ashtu, Kuvendi përkrahu propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.