Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Mërkure, 24.01.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi Buxhetin e komunës së Lipjanit për vitin 2018, një raport, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës.
Projektligjin për komunën e Lipjanit për vitin 2018, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, i paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza.
Lidhur me Projektligjin e komunës së Lipjanit, ministri Hamza, pasi sqaroi shkaqet e vonesës së miratimit të tij nga ana e komunës, ai bëri të ditur se miratimi i tij nuk do të ketë ndikim në strukturën e përgjithshme të Ligjit për buxhetin e shtetit për këtë vit.
Duke folur për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, ndërkaq, ministri po ashtu tha se miratimi i tij nuk paraqet kosto të papërballueshme financiare, andaj, kërkoi mbështetje nga ana e komisionit.
Pas kësaj, komisioni e miratoi Projektligjin për komunën e Lipjanit për vitin 2018, si dhe Projektligjin e paraqitur nga ministri, Hamza.
Në vijim është shqyrtuar Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016, të cilin para komisionit e paraqiti i pari i këtij institucioni, Besnik Osmani. Komisioni, pas shqyrtimit e miratoi këtë raport, ndërkaq, e shtyri për mbledhjen e radhës shqyrtimin e Raportit vjetor financiar të KOSTT SH.A. për vitin 2016.
Më pas, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe listën e Panelit Seleksionues të kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në fund të kësaj mbledhjeje, komisioni miratoi Raportin e tij të Punës për vitin e kaluar, si dhe Planin e Punës për këtë vit.